Prishtinë, 3 nëntor 2014
Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sot është shënuar me një akademi përkujtimore 25 vjetori i rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Gjeni më poshtë të plotë fjalën e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në këtë akademi:
E nderuara familje Zhitia,
E nderuar familje Fazliu,
I nderuari z. Gjonbalaj, Klinaku,
I nderuari deputet Syla, Grabovci, Çela, Hasani, Gashi
I nderuar ministër Buja, Makolli dhe të gjithë ju bashkëmendimtar dhe bashkëveprimar të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që t’iu përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi nën patronatin e të cilit organizohet kjo Akademi, në shenjë nderimi për dy kolosët tanë, për dy heronjtë e vendit tonë, Afrimin dhe Fahriun.
Fillimi i nëntorit 1989, një çerek shekulli më parë në Prishtinë nisi ndryshe nga sot, kur jemi mbledhur për t’i kujtuar me nderimet më të larta për dy figura të shquara të lëvizjes për liri dhe pavarësi, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun, që e bënë historinë.
25 vjet më parë Kosova po përjetonte vitet e rënda të shtypjes, të anarkisë, të represionit që bënte administrata e Milosheviqit po përpiqej të shuante çdo gjë që ishte shqiptare, duke dashur që t’i mohonte të drejtat tona politike, kombëtare dhe kulturore.
Por kishte burra si Afrimi dhe Fahriu që organizonin lëvizje studentore dhe protesta, që organizonin angazhimin e fortë patriotikë në Republikën e Kosovës që t’i kundërvihen kësaj logjike robëruese.
Sado të vështira të kenë qenë rrethanat e atëhershme politike edhe gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri më atëherë, ne jemi me fat që në çdo gjeneratë kanë dalë ideator, veprimtarë, organizatorë dhe njerëz që asnjëherë nuk e kanë ndalur veprimtarinë e tyre për liri dhe çlirim dhe pavarësi.
Afrim Zhitia ishte njëri nga ata, që së bashku me Fadil Vatën dhe veprimtarë të tjerë, edhe pas daljes nga burgu, nuk e reshtën për asnjë çast me punën e tyre për organizim dhe forcim të lëvizjes kombëtare. I tillë ishte edhe Fahriu që më vonë edhe vëllau i tij Bahriu u bënë kolosë, ideatorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
Zonja dhe zotërinj,
25 vjet më parë Kosova ziente nga protestat popullore që tregonin qartë se populli shqiptar i Kosovës nuk mund të pajtohej me degradimin e tyre të pafund.
Me 2 nëntor 1989 në një lagje të Prishtinës u ballafaquan dy realitete. Ai që kishte të bënte me dy veprimtarë të luftës për liri, pavarësi dhe demokraci me një regjim që okuponte, dhunonte dhe vriste njerëzit tanë.
Në këtë ballafaqim tregohej më së miri vendosmëria e Kosovës dhe e qytetarëve të saj, për arritjen e qëllimeve politike për liri dhe pavarësi e cila nuk mund të mposhtej dhe as të shuhej nga një shtet okupues, sado i fuqishëm që dukej në atë kohë.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu do të bien heroikisht më 2 nëntor 1989.
Këta dy kolosë të lëvizjes patriotike që në atë kohë e dhanë mesazhin e qartë që Kosova kurrë nuk do të pajtohej me robërinë, por dëshironte lirinë, pavarësinë dhe çlirimin e saj.
Rënia e Afrimit dhe Fahriut u bënë frymëzim për veprimtarët e asaj kohe dhe për gjeneratat e mëpastajme.
Lëvizja për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nuk u ndal asnjëherë pavarësisht rënieve që ndodhen gjatë atyre 10 viteve me radhë.
Zonja dhe zotërinj
Pas rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut Kosova do të ballafaqohet me një dekadë të rëndë të luftës për liri dhe rezistencë.
Kjo rezistencë do të kulmojë me themelimin, organizimin dhe forcimin e projektit më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Liria dhe çlirimi i Kosovës u bënë realitet me sakrificën e mijëra dëshmorëve që për frymëzim kishin Afrimin, Fahriun e shumë dëshmorë të tjerë.
Kosova arriti lirinë duke fituar luftën e saj të drejtë me përkrahjen e botës së lirë dhe demokratike, nga SHBA, nga shtetet e BE-së dhe NATO.
Kosova do t’u jetë përjetë mirënjohëse luftëtarëve të saj, çlirimtarëve të saj, heronjve të saj por edhe miqve të saj anë e kënd botës.
Zonja dhe zotërinj,
Ne sot, 25 vjet nga rënia e dy heronjve Afrim Zhita dhe Fahri Fazliu, mund ta themi me krenari se Kosova me të vërtetë është një tregim i suksesshëm në luftën e saj për çlirim dhe pavarësi.
Kosova me sukses ka përmbyllur kapitullin e saj të çlirimit dhe lirisë, Kosova ka përmbyllur edhe kapitullin e pavarësisë.
Para nesh qëndrojnë kapituj tjetër të rëndësishëm, integrimi në institucionet euro –atlantike, për tu bërë pjesë e botës së zhvilluar pranë Kombeve të lira.
Kjo rrugë është e pashmangshme për të gjithë ne dhe është në përputhje të plotë me idealet e heronjve që edhe sot po i përkujtojmë.
Kjo qëllim është në përputhje me vullnetin e qytetarëve tonë, që të kemi një vizion për Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike, një Kosovë Evropiane.
Shteti i Kosovës, sado i ballafaquar me sfida, gjithmonë do ta ketë udhërrëfyes, do të ketë fuqi, kurajo për të dalë nga çdo sfidë që mund të ballafaqohet, dhe me kujdes më të lartë institucional dhe shtetëror do të kujdeset për të gjithë ata individë, familje dhe kontribuues, që kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Poashtu shteti i Kosovës vazhdimisht do ta thellojë mbrojtjen institucionale të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës së Kosovës , të të gjitha luftërave çlirimtare, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më tani.
Më lejoni të them se gjithmonë në rrugën tonë, në angazhimet tona në ndërtimin e shtetit tonë, janë idealet e heronjve, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe të mijëra dëshmorëve të vendit tonë.
Lavdi jetës dhe veprës së heronjve të Kosovës, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Lavdi dëshmorëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!
