Prishtinë, 27 shtator 2023
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar kolegë,
Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë edhe armatimin e tyre.
Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit XIV, mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme paleokristiane, ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak pasi aty janë gjetur mbishkrime epigrafike të periudhës romake.
Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi por edhe i urdhërdhënësve të tyre ka qenë që përveç dëmit fizik në Manastir të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndër-fetare dhe ndër-etnike në Kosovë.
Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse. Vetëm para më pak se tre muaj, bashkë me partneret ndërkombëtarë kemi përfunduar restaurimin e tri kishave ortodokse në Kosovë.
Ministria e Kulturës tashmë ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës. Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri.
Gatishmëria dhe vullneti ynë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivelin të lartë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e cila në rastin e objekteve të kultit duhet t’i shërbejë besimtarëve, të fuqizojë harmoninë ndërfetare e ndëretnike dhe jo të përdoret për qëllime kriminale dhe destabilizuese për Republikën e Kosovës.
Me lejoni që ne fund t’i shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia te sinqerta familjes Bunjaku për humbjen e më të dashurit të tyre, heroit Afrim Bunjaku.