Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në akademinë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të veteranit të UÇK-së, Ejup Runjeva-Komandant Era
Prishtinë, 2 prill 2014
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në akademinë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të veteranit të UÇK-së, Ejup Runjeva-Komandant Era
E nderuara familje Runjeva,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të UCK-së,
I nderuar zëvendësministër, deputet i nderuar,
Përfaqësues të shoqatave të luftës në nivel lokal dhe qendror,
Të nderuara autoritete komunale,
Të nderuar ju të pranishëm, qytetarë të Kaçanikut,
Të nderuar bashkëluftëtarë,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës, t’ju përshëndes në këtë përvjetor.
Shuarja e parakohshme e veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ejup Runjeva na bashkon edhe sot për ta përkujtuar institucionalisht në përvjetorin e parë të vdekjes. Me Ejupin ishim bashkë në luftë dhe ishim bashkë në paqe.
Veprimtarët e çështjes kombëtare nuk kanë moshë, por ikja e hershme e tyre tregon më së miri se sa vend të rëndësishëm kanë zënë në jetën e përditshme, në familje dhe në rrethin shoqëror.
Ejupi ishte njëri ndër veprimtarët e shquar të Kaçanikut, që përqafoi lëvizjet atdhetare, idetë përparimtare gjithmonë në kohën e duhur.
Ejup Runjeva, i njohur me nofkën luftarake Komandant Era, ishte ndër organizatorët e parë të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe rrethinë.
Asnjë betejë që u zhvillua nëpër territorin që përfshinte njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ndodhte pa praninë, guximin dhe kontributin e komandant Erës.
Komandant Era ishte edh aty ku e kërkonte nevoja për ndihmë, në përforcime të njësiteve të Brigadës 161 të Jezercit dhe kudo tjetër.
Komandant Era pati fatin që me vite të qëndrojë padrejtësisht i privuar nga liria, për të dalë ngadhënjyes moral dhe faktik.
Sot, në përvjetorin e parë të vdekjes së Ejup Runjevës-Komandant Erës ne me krenari themi se Republika e Kosovës është duke bërë më të mirën e mundshme për mbrojtjen institucionale të kategorive të dala nga lufta.
Mbrojtja ligjore e familjeve të dëshmorëve, e invalidëve të luftës, si dhe trajtimi dinjitoz i veteranëve është treguesi më i mirë se themelet e shtetit tonë të ri qëndrojnë në kontributin, djersën dhe gjakun e atyre që dhanë më së shumti për lirinë që e gëzojmë sot.
Kosova ka kaluar me sukses fazën e tranzicionit, të vënies së themeleve të shtetësisë dhe sot është në rrugën e drejtë për integrime euroatlantike dhe zhvillim ekonomik.
Vetëm një Kosovë e zhvilluar dhe me perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara është shtet për të cilin kanë sakrifikuar aq shumë të rënët në luftë për liri.
Edhe komandant Era është pjesë e këtyre kontributeve dhe sakrificës.
Të nderuar të pranishëm,
Me komandant Erën dhe shumë bashkëluftëtarë të kësaj treve, edhe unë personalisht kam pasur nderin, përgjegjësinë edhe krenarinë që të jem bashkëluftëtarë, të kaloj çaste të rëndësishme por edhe të krenarisë. Me komandant Erën kemi kaluar shpesh kufij, me komandant Erën kemi kaluar shpesh bjeshkë e fusha, kemi kaluar kohë bashkë, kemi sakrifikuar bashkë dhe sot respektoj dhe nderoj me pietetin më të lartë heroizmin e tij. Komandant Era është hero i Kosovës, është hero i Kombit.
Edhe sot kur jemi këtu në këtë përvjetor, deputete, deputetë, njerëz të Qeverisë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familje të dëshmorëve, invalidë, të gjithë së bashku dua të potencoj se është një ngjarje që koincidon me vendimin që do të merret nesër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me vendimin për të cilin kemi sakrifikuar të gjithë, e ai vendim është institucionalizimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Parlamenti i Kosovës.
Nesër pres dhe patjetër do të nxirret ligji që garanton të drejtat dhe beneficionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i gëzoj të drejtat e veta dhe beneficionet, veterani i UÇK-së dhe familja e tij.
Lavdi kujtimit, emrit dhe veprës së Ejup Runjevës, Komandant Erës!
Lavdi dëshmorëve të Lirisë!
Faleminderit shumë!
