Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, para eprorëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbajtur në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 21 shkurt 2014

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, sot gjatë ditës i bëri një vizitë kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, me ç’rast u njoh nga afër me kushtet, të arriturat dhe zhvillimin e përgjithshëm të FSK-së.

Më këtë rast Kryeministri Thaçi, mbajti një fjalim para të pranishmëve të cilëve ju kumtoj edhe njëherë lajmin se së shpejti Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë emërtim dhe organizim të ri – Forca të Armatosura të Kosovës.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e Kryeministrit Thaçi:

I nderuari ministër gjeneral Çeku,
I nderuari gjeneral Kastrati,
të nderuar ushtarë, oficer, nënoficer të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Sot është një kënaqësi dhe nder i veçantë të jem në mesin tuaj, për mua si bashkëluftëtarë i juaj, por edhe si kryeministër i Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, çdo ditë e më shumë po konsolidohet në të gjitha fushat shtetformuese. Themelimi  i ministrisë së Mbrojtjes dhe krijimi i Forcave të Armatosura, janë segemnentet përmbyllëse të institucioneve që e rrumbullakojnë shtetësinë e Kosovës.

Ju keni kaluar nëpër disa faza shumë të rëndësishme, gjithnjë duke ruajtur kontinuitetin, qëllimin dhe arritjet strategjike në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe mbrojtjes së vendit tonë.

Keni dhënë kontribut të vlerësuar dhe të pranuar botërisht në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertët e shteteve mike të Kosovës, me ekspertët e NATO-s dhe të KFOR-it.

Institucioni që përfaqësoni ju, është treguesi më i mirë i forcimit dhe i konsolidimit të shtetit tonë të ri. Prandaj e themi me krenari se Forca e Sigurisë së Kosovës, është vërtetë një storie e suksesshme e ndërtimit dhe ngritjes së një institucioni të Republikës së Kosovës.

Të nderuar oficer,

Shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, gjashtë vjet më parë, krijoj kushte që TMK-ja të hyjë në një fazë të re. Që nga janari i vitit 2009, Forca e Sigurisë së Kosovë u themelua si Forcë e Sigurisë profesionale, e armatosur lehtë, e uniformuar dhe me përbërje multietnike.

Zhvillimi, strukturimi dhe organizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës që prej fillimit,  është bazuar në praktikat më të mira të shteteve të demokracisë së zhvilluar.

Kosova ndërkaq ka hapur perspektive të gjithanshme, duke shënuar të arritura në planin e brendshëm të zhvillimit ekonomik por edhe në atë diplomatik.

Kosova ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e pavarësisë ndërkombëtare, është bërë anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe tashmë Kosova është njohur nga 106 shtete. Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e parakushteve për integrime evropiane.

Që nga themelimi i FSK-së, kanë kaluar pesë vjet dhe bashkë me zhvillimin dhe forcimin e shtetit tonë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, është ngritur dhe zhvilluar, është bërë më e fortë dhe më profesionale. Deri më tani Forca e Sigurisë së Kosovës, ka kryer operacione në kërkim –shpëtim, asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera, zjarrfikësit dhe detyra tjera të caktuar të asistencës humanitare.

Forca e Sigurisë së Kosovës mund të krenohet me shumë të arritura brenda mandatit të saj të tanishëm. Tash është koha kur në duhet të marrim përgjegjësinë e plotë për sigurinë e shtetit tonë, pra po fillojmë një kapitull të ri.

Kjo do të nënkuptojë ndryshime të rëndësishme, në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

I nderuari ministër Çeku,
I nderuari gjeneral Kastrati,
Të nderuar oficer të FSK-së,

Siç edhe e dini, edhe ditën e festimit gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë, paralajmërova për hapin e ardhshëm të shpejtë të Qeverisë së Kosovës, për avancimin e FSK-së, pra një kohë shumë e shkurtër na ndanë nga themelimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Forcat e Armatosura të Kosovës, do  t’i kenë të gjitha kapacitetet e mbrojtjes dhe do të ketë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re. Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen ashtu siç janë ta gatshme dhe të afta të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme dhe të domosdoshme.

Forcat e Armatosura të Kosovës, do t’i mbrojnë interesat e Kosovës, qytetarët e saj dhe pronën e tyre.

Forcat e Armatosura të Kosovës, do të kontribuojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global.

Aftësia që ne vet të mbrojmë vendin tonë dhe t’i plotësojmë nevojat tona të sigurisë është po ashtu,  parakusht për integrimin e suksesshëm të Kosovës në strukturat veri atlantike.

Në rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm drejt zhvillimit të Forcës së Re Mbrojtëse, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, të cilët edhe sot dëshiroj t’i falënderoj për mbështetjen e tyre të plotë që na kanë dhënë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbështetja e tyre ka qenë jetike për profesionalizmin e FSK-së, prandaj këshillat dhe ndihma e mëtutjeshme është e nevojshme, sepse qëllimi dhe vizioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe nesër Forcave të Armatosura të Kosovës, do të jetë integrimi në NATO. Natyrisht si parakusht është fillimi i partneritetit për paqe.

I nderuari ministër i mbrojtjes z.Çeku,
I nderuari gjeneral Kastrati,

Të gjithë ju oficer, nënoficer lirisht mund të them se, në emër të Qeverisë së Kosovës, në kuadër të angazhimeve që kemi, jemi duke bërë hapat më të rëndësishëm dhe jemi në pjesën finale edhe të zyrtarizimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Urime juve dhe gjithë popullit të Kosovës!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors