Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në Këshillin për Integrim Evropian


Image


Image


Image


Image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në Këshillin për Integrim Evropian. Me këtë rast kryeministri Mustafa mbajti një fjalë, të cilën po ju përcjellim të plotë.

Fjala e kryeministrit Mustafa, në Këshillin për Integrim Evropian:

Faleminderit zonja Presidente, Ju përshëndes,
Përshëndes anëtarët e Qeverisë,
Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, z. Zhbogar,
Ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik,
Përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Kryeprokurorin,
Kryetarin e Këshillit Gjyqësor,
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave,

Kosova ka vuajtur vazhdimisht nga ikja dhe migrimi i njerëzve të saj. Prandaj, edhe historia jonë ka qenë e dhimbshme në shekujt e kaluar, por siç duket nga rrethanat e tanishme ajo mund të jetë e dhimbshme edhe në këtë shekull.

Ikja tani e njerëzve nga vendi ynë dhe kërkimi i shpëtimit jashtë, mund të jetë i kushtëzuar nga shumë faktorë ekonomik dhe social. Por, duhet të dihet po ashtu se  ky fenomen tani nuk është vetëm fenomen i Kosovës, është një fenomen me të cilin po ballafaqohen edhe vendet tjera sidomos ato të Ballkanit veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor.

Gjithsesi, migrimi ilegal nga Ballkani Perëndimor mbetet një sfidë shumë e madhe dhe në këtë kontekst ne kemi të bëjmë me ikjen e qytetarëve të këtyre vendeve,  dhe të vendit tonë por edhe emigrantët tjerë që shfrytëzojnë këto vende, si vende të transitit për të ikur në vendet e Bashkimit Evropian.

Pa marrë parasysh se të dhënat aktuale për migracion në vendet e Bashkimit Evropian, sidomos nga Kosova nuk tregojnë ndonjë rritje të veçantë në këtë vit në krahasim me vitet tjera, sepse kemi një proces i cili vazhdon vite me radhë, vetë fakti i ikjes së një numri të madh të qytetarëve tanë është shumë brengosës për ne. Jemi të vetëdijshëm se kjo mund të ndikoj në proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave, si procese shumë të rëndësishme për Kosovën. Por, në anën tjetër, askush nuk mund të presë nga qytetarët e Kosovës se ata do ta parapëlqejnë geton në këtë pjesë të Evropës dhe izolimin nga pjesa tjetër e botës, në kushtet e ndërvarshmërisë të zhvillimin ekonomik, zhvillimit arsimor, zhvillimit shëndetësor dhe të zhvillimit kulturor, në një botë të globalizuar ashtu siç ne dëshirojmë ta quajmë.

Më e rëndësishme është të thuhet se përmes migrimit ilegal po përfitojnë vetëm grupet kriminale dhe po dëmtohen që të gjithë, edhe qytetarët e Kosovës, edhe shteti i Kosovës edhe vendet në të cilat po migrojnë qytetarët tanë. Fatkeqësisht migrimi ilegal dëshmon për nivelin e organizimit të strukturave të krimit dhe trafikantëve, të cilët nuk njohin as kufij, nuk po njohin as etni dhe nuk po respektojnë ligjin.

Unë mund të them se Qeveria po punon me përgjegjësi për të parandaluar këtë dukuri. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë dialogun me të gjitha palët e interesuara për të adresuar këtë çështje në mënyrën më të përshtatshme. Ministritë përkatëse veçmas ajo e Punëve të Brendshme, po luftojnë grupet kriminale që abuzojnë me fatin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës; në të njëjtën kohë ne presim që këtë ta bëjnë edhe vendet fqinje, të cilat korridore po i shfrytëzojnë qytetarët  për të migruar.

Edhe përkundër faktit të papunësisë ende të madhe dhe të skamjes së madhe, në Kosovë gjatë viteve të pasluftës janë bërë ndryshime cilësore në fusha të ndryshme. Ne vlerësojmë se Kosova është vend i sigurt dhe qytetarët e saj mund të kenë zgjidhje shumë më të mira këtu, sesa ta marrin botën në sy. Qeveria e Republikës se Kosovës është shumë e përkushtuar që Kosovën ta bëjmë një vend të dashur për të jetuar dhe punuar të gjithë qytetarët  pa dallim.

Andaj, ne po punojmë në mënyrë shumë serioze:

– Për të krijuar perspektivë të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit;

– Për të krijuar punësim sezonal, veçmas për të arritur marrëveshje me vendet e tjera për punësim sezonal;

– Për të ngritur cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë;

– Për të krijuar kushte për vetëpunësim të të rinjve;

dhe për të krijuar një ambientit të volitshëm për investitorët vendor dhe të jashtëm.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se këto nuk mund të bëhen shpejt, por do të punojmë që të krijojmë perspektivë të qëndrueshme për të gjithë qytetarët, sidomos për të rinjtë. Ky shtet është themeluar për qytetarët e saj, ky shtet do t’ju shërbej qytetarëve të saj dhe po ashtu do t’ju shërbej mirëqenies së tyre.

Në kushte të globalizimit, lëvizje të njerëzve do të ketë gjithmonë, por ato duhet të sillen në parametra real. Jam i bindur se liberalizimi i vizave dhe hapja e mundësisë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, sikurse edhe njerëzit e tjerë të këtij kontinenti, do të ndikonte që shkuarja e njerëzve tanë në vendet evropiane të mos jetë migrim as ikje, por të jetë një shkuarje për kthim në Kosovë ashtu siç ndodhë edhe në vendet e tjera.

Është e qartë se vendet evropiane nuk ofrojnë azil për qytetarët tanë, që e konsiderojmë shumë të arsyeshme, prandaj nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë i të gjithë faktorëve relevant, qeverisë, mediave, shoqërisë civile dhe faktorëve ndërkombëtar që janë këtu për të informuar qytetarët tanë për pasojat e migrimit. Ne po ashtu, nuk duhet të krijojmë heronj nga ata që ikin dhe nga ata që thonë se kurrë nuk do të kthehen në Kosovë, as nga rastet tragjike e të dhimbshme, por duhet të zhvillojmë ndjenjën dhe kulturën e dashurisë ndaj atdheut dhe përkushtimin për ndryshime të cilat mundësojnë që të mburremi me atë që e kemi dhe të cilat mundësojnë që të krijojmë çdo gjë këtu në Kosovë me punën dhe djersën tonë.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors