Prishtinë, 16 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka prezantuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2015, si dhe kabinetin e këshilltarëve politik.
Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa:
Dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve,
Unë dëshiroj t’ju njoftoj për disa çështje të prioriteteve tona si Qeveri tani, t’ju mundësoj që ju të shtroni pyetje për probleme të caktuara. Ju e dini se ne si Qeveri e Republikës së Kosovës para dy ditësh kemi aprovuar Planin e Punës të Qeverisë për vitin 2015. Ky plan është bazuar në Programin Qeverisës të cilin ne e kemi harmonizuar si parti të koalicionit në tërësi.
Po ashtu, ju njoftoj se Programi Qeverisës do të jetë gati në mesin e muajit shkurt, ka mbet vetëm që të përcaktohen amzat, përmes të cilave do të caktohet agjenda e realizimit të objektivave të ndryshme në këtë dhe po ashtu të përcaktohen prioritetet strategjike përkatësisht strategjitë të cilat do të jenë pjesë përbërëse e këtij programi.
Në fondamentin e programit tonë, edhe qeverisës, edhe të Planit Qeverisës për vitin 2015, do të jenë orientimet tona të cilat janë të njohura si orientime demokratike evropiane, do të jetë respektimi i lirisë, respektimi i së drejtës, orientimi për tolerancën, lirinë e të shprehurit, lirinë e lëvizjes, respekti për traditën dhe natyrisht ajo që është themelore, orientimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në objektivat themelore të cilat ne i kemi përcaktuar në programin qeverisës është:
– Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, që nënkupton orientimin tonë që të intensifikojmë normën e rritjes ekonomike vjetore, të rrisim normën e punësimit, të zvogëlojmë varfërinë dhe ta bëjmë diversifikimin e zhvillimit ekonomik në më shumë degë dhe më shumë fusha ekonomike në krahasim me ato që i kemi deri më tani;
– Si objektiv i dytë themelor është sundimi i ligjit, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Dhe ne mendojmë këtu që të bashkërendisim punën me të gjitha institucionet e drejtësisë, por jo assesi që të ndikojmë në drejtësinë.
– E kemi edhe agjendën e politikave të jashtme, që ndërlidhet me prioritetet për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe hapjen e rrugës për integrim sa më shpejt tonin në Bashkimin Evropian ; si dhe dy fusha shumë të rëndësishme janë edhe:
– Reformat cilësore që duhet t’i bëjmë në arsim, dhe
– Dhe reformat cilësore që duhet të bëjmë në shëndetësi
Për vitin 2015 parashohim që të përgatisim dhe të aprovojmë në Kuvend rreth 100 ligje. Një pjesë e këtyre ligjeve ka të bëjë edhe me aktivitetet tona në fushën e integrimeve evropiane, dhe po ashtu të përgatisim dhe të aprovojmë edhe 43 dokumente strategjike.
Me prioritet do të punojmë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos për përkrahjen e sektorit privat dhe për tërheqjen e investimeve të huaja, me qëllim të krijimit të kushteve për punësim më të madh dhe për stabilitet buxhetor. Me këtë buxhet që ne kemi tani nuk mund të llogarisim se do t’i përballojmë të gjitha kërkesat e konsumit buxhetor të cilat shtrohen para nesh.
Stabilitetin buxhetor po ashtu do ta ndërlidhim me kursime që do t’i vazhdojmë t’i aplikojmë ne në fushën e buxhetit në njërën anë, dhe me mbylljen e të gjitha portave të evazionit fiskal, qoftë si pasojë e ekonomive informale apo edhe të evazionit fiskal që vjen nga marrëdhëniet tregtare me vendet fqinje, sidomos me vendet në regjion.
Do ta nxisim sektorin e bujqësisë përmes mbështetjes buxhetore, por edhe sektorët tjerë produktiv, siç janë arsimi, shkenca dhe shëndetësia, të cilat i konsiderojmë si pjesë produktive të zhvillimit ekonomik.
Sa i përket politikave të rritjes së pagave, ne mendojmë se këto politika do të bashkërenditen me pagat e sektorit privat, sepse ne nuk mund të zhvillojmë politika të pagave duke rritur paga vetëm në sektorin publik, duke pas parasysh se ato ndërlidhen me fuqinë e sektorit privat, dhe se taksat dhe tatimet i mbledhim nga ky sektor. Duke forcuar sektorin privat, ne do të forcojmë edhe buxhetin i cili do të përballojë kërkesat për rritjen e pagave.
Me kapacitetin aktual buxhetor ne mund të përballojmë një pjesë të zbatimit të Marrëveshjes Kolektive, kryesisht me pikat që kanë të bëjnë me pagesën e përvojës së punës, por është e pamundur që të përballohen kërkesat tjera, sepse rritjen e pagave duhet ta harmonizojmë me rritjen ekonomike, dhe me forcimin buxhetor në periudhën e ardhshme kohore.
Përqendrimi im, dhe i Qeverisë, në këtë vit do të jetë kryesisht në ndaljen e trendëve negative dhe në zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve.
Do të bashkëpunojmë maksimalisht me shtyllën e drejtësisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në mënyrë që ajo të mos jetë problem i keqpërdorimit të parasë publike dhe i ikjes së investitorëve nga vendi ynë për arsye të korrupsionit ose krimit të organizuar.
Do të ndryshojmë sistemin e prokurimit, duke e zbatuar sistemin elektronik. Më vonë do të bëjmë edhe koncentrimin e sistemit të prokurimit në nivel të Qeverisë, në mënyrë që ai të jetë i kontrollueshëm dhe më transparent dhe shumë më efikas sesa që ka qenë deri tani.
Në dy muajt e parë do të kompletojmë tërësisht bordet e agjencive të pavarura dhe ato të ndërmarrjeve publike, sepse ato gati të gjitha tani janë të pakompletuara. Ju tashmë jeni të informuar se është marr vendimi për shpallje të konkursit për bordet e ndërmarrjeve publike, duke zbatuar kritere profesionale edhe për bordet e agjencive të pavarura edhe për bordet e ndërmarrjeve publike.
Do të emërojmë edhe zëvendësministrat në ditët në vijim. Vonesat deri sot nuk janë bërë për arsye të problemeve të cilat i kemi ne brenda, por për arsye se jemi duke shikuar që emërimi i tyre të jetë funksional dhe angazhim punues. Synojmë që angazhimi i zëvendësministrave, përmes marrjes së përgjegjësive të rritin efikasitetin e ministrive.
Do të punojmë në nivelizimin e sistemit të pagave në tërë spektrin e organizatave buxhetore, në mënyrë të gjithë njerëzit për punë të njëjtë, të kenë paga të njëjta.
Po ashtu do të bëjmë nivelizimin e kompanive publike, përkatësisht me gjithë sektorin që shfrytëzon paratë publike, në mënyrë që të vihet një rend i pagave që përdorin paranë publike.
Ne do të bëjmë edhe vlerësimin e performancës së punës në çdo ministri, edhe të ministrave dhe të gjithë kabinetit qeveritar.
Po ashtu do të kujdesemi, që anëtarët e kabinetit qeveritar të merren me punën e tyre dhe me përgjegjësitë e tyre të përditshme, dhe jo me agjenda politike ta lënë jashtë kabinetit qeveritar, dhe ato të bëhen përmes subjekteve të tyre politike.
Ne kemi vlerësuar si të pamatur deklarata e ministrit Jabllanoviq për protestuesit në Gjakovë, por po ashtu e kemi parasysh që ministri e ka sqaruar deklaratën dhe pozicionin e tij publikisht.
Po ashtu ne kërkojmë nga të gjitha institucionet dhe bartësit e përgjegjësive publike që të realizojnë përgjegjësitë në fushat që i kanë marrë, të respektojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, sepse atë e kanë për obligim ta bëjnë për arsye se i detyron kushtetuta dhe ligjet, dhe unë mendoj se me këtë të gjithë ata do të arrijnë ta bëjnë punën e vet, pa u marrë me punë dhe detyra të të tjerëve.
Në fillim të muajit të ardhshëm ne do të kemi kontaktin e parë në nivel të dy kryeministrave në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel me Serbinë.
Qeveria e Kosovës është e interesuar që të gjitha çështjet me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, t’i zgjidhë me dialog. Por, po ashtu jemi të interesuar që këto çështje t’i zgjidhim sa më shpejt dhe të lirohemi nga këto probleme dhe të fillojmë me zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me qytetarët tanë.
Ky do të jetë orientimi im përfundimtar, që të merrem me çështjet që preokupojnë qytetarët tanë dhe të krijojmë kushte që njerëzit të mos ikin nga Kosova, veçmas për të rinjtë, dhe të stabilizojmë gjendjen në vend, sepse ky është Objektivi themelor i Qeverisë, dhe unë do të jem i përcaktuar që ta realizoj këtë objektiv.
