Federica Mogherini priti në një darkë pune kryeministrat e Ballkanit Perëndimor [Komunikatë për Medie e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS)]


Image

Bruksel, 18/12/2017

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Nënkryetare e Komisionit Evropian, priti sot në një takim jozyrtar kryeministrat e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar situatën në rajon dhe në veçanti mundësitë për të çuar përpara integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian, në vitin 2018.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdić, kryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Malit të Zi, Duško Markoviq dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić përsëritën angazhimin e tyre të plotë për të vazhduar punën për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Siç konfirmohet qartë këtë vit, duke përfshirë edhe Këshillin Evropian në mars dhe nga Presidenti Juncker në fjalimin Shtetëror të Bashkimit në Shtator, 2018-a do të ofrojë një mundësi unike për rajonin që të bëjë hapa të pakthyeshëm përpara në integrimin e saj në BE, me kusht që prioritet maksimal t’u jepet reformave të nevojshme, në veçanti për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Me një dinamikë të përtërirë në politikën e zgjerimit të BE dhe një shans për të bërë përparim të rëndësishëm në të gjithë rajonin, Përfaqësuesja e Lartë nënvizoi nevojën për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar reformat thelbësore për të përmbushur pritjet e qytetarëve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa konkret drejt integrimit në BE.

Pjesëmarrësit theksuan vendosmërinë dhe interesin e tyre të thellë në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në promovimin e mirëkuptimit rajonal. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e vazhdimësisë se diskutimeve midis presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç për të përparuar në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors