Prishtinë, 16 shtator 2013
Kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës përshëndet marrëveshjen kornizë të arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse në lidhje me Eliminimin e Armëve Kimike të Sirisë, arritur më 14 Shtator 2013.
Qeveria e Republikës së Kosovës nga fillimi ka mbështetur objektivat për t’i dhënë fund përdorimit të armëve kimike në Siri dhe për të sjellë para drejtësisë kryerësit e sulmit në Ghoutta afër Damaskut të 21 Gushtit 2013, ku mbi një mijë civilë të pafajshëm u vranë nga armët kimike.
Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme që kjo marrëveshje të përcjellet me hapa konkret si dhe të pasohet nga një Rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila pastaj duhet të implementohet menjëherë. Tani është e rëndësishme që Siria të përmbush detyrimet e veta për shkatërrimin e të gjitha armëve të veta kimike pa vonesë dhe pa parakushte.
Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe të zbatojnë pa vonesë marrëveshjen, e cila paraqet një hap vendimtar në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje politike për t’i dhënë fund konfliktit civil në Siri.
