Prishtinë, 27 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, kanë mbajtur një konferencë për media.
Deklarata e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në konferencë:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Të nderuar përfaqësues të medieve,
Qeveria e Republikës së Kosovës, sot, gjatë tërë ditës, ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme në sheshet kryesore të Kryeqytetit, në protestën e organizuar nga partitë politike opozitare.
Qeveria dënon ashpër dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve, gjë që çoi në eskalimin ekstrem të situatës dhe në rrezikimin e sigurisë e të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhjen e thellë për të gjithë të lënduarit në protestën e sotme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon nxitjen politike dhe dhunën e ushtruar gjatë tërë ditës ndaj institucioneve publike, qytetarëve, pronës private dhe ndaj Policisë së Kosovës.
Qeveria konsideron se është tepër e dëmshme që për qëllime politike të krijohen ndasi ndëretnike në Kosovë.
Policia e Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës së saj kushtetuese, është përballur me ultimatume politike dhe të paligjshme, është sulmuar ashpër nga ana e protestuesve me gurë, mjete të tjera të forta dhe me koktej molotovi.
Sheshet e Prishtinës janë dëmtuar në masë tepër të madhe, pronat e qytetarëve janë shkatërruar, pronat dhe qytetarët janë sulmuar në hapësirat publike e në pronat e tyre.
Protesta e sotme, e motivuar politikisht, i ka bërë dëm të jashtëzakonshëm shtetit tonë të ri.
Qeveria dënon instrumentalizimin e protestuesve dhe përdorimin e nxënësve në protestë për qëllime politike nga ana e organizatorëve.
Qeveria bën thirrje për ndërprerjen e akteve të dhunës ndaj institucioneve, pronës publike, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe të pronës së tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës e respekton në plotëni të drejtën e protestës si një mjet për të shprehur shqetësimet dhe pretendimet qytetare.
Por, poashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për pushtet, meqë pushteti fitohet vetëm me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e jo me dhunë dhe përmes dhunës.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga organet kushtetuese që të garantojnë sigurinë e qytetarëve, të institucioneve, të pronës private e publike, konform normave kushtetuese.
Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu i fton të gjithë qytetarët për qetësi e durim.
Deklarata e plotë e zëvendëskryeministrit të parë, Hashim Thaçi në konferencë:
Faleminderit shumë i nderuari kryeministër, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, përfaqësues të mediave,
E mbështes plotësisht dhe fuqishëm qëndrimin që e prezantoi kryeministri Mustafa.
Protesta është mjet demokratik, por protestat e së shtunës dhe e sotshmja nuk kanë pasur objektiva qytetare, të vullnetit qytetar, por thjesht objektiva të politikës ditore.
Ato nuk kanë qenë të organizuara nga vullneti i qytetarëve, por nga 3 subjekte politike opozitare.
Dialogu, komunikimi duhet të zhvillohen në mes të opozitës dhe pozitës në Parlament e jo në sheshe.
Protestat lejohen dhe gjithmonë janë lejuar, por dhuna është mjet i papranueshëm dhe në asnjë moment nuk do të dorëzohemi përballë dhunës.
I falënderojmë qytetarët që nuk i janë përgjigjur akteve të dhunës dhe nuk i janë përgjigjur ftesave për protesta të dhunshme.
Aktet e sotshme janë akte të një grupi të vogël. I falënderojmë policët për sjellje të përmbajtur dhe mbrojtje të pronës dhe jetëve të qytetarëve.
Sot ata kanë vepruar me shumë sakrificë. Ata sot e shpëtuan Kosovën nga më e keqja.
Dhuna e sotshme nuk është e paplanifikuar.
Disa protestues të dhunshëm filluan sulmet brutale kundër policisë, duke lënduar me dhjetëra policë, vajza dhe djem të Kosovës që kanë dhënë betimin që do ta mbrojnë ligjin, rendin, Kushtetutën dhe shtetin.
Përpjekjet e tyre sot ishin për çdo lëvdate, pra të Policisë së Kosovës dhe vetëpërmbajtja e tyre ishte mësim për të gjithë.
Megjithatë, të shtyrë nga politikanë të caktuar, ata kanë vazhduar me dhunë duke demoluar qendrën e kryeqytetit.
Janë dëmtuar objekte publike, janë dëmtuar shumë lokale private, pronë private, por është sulmuar edhe një Ambasadë e një shteti mik, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Këto janë gjeste të papranueshme në çfarëdo proteste. Ky është një tentim për marrjen e pushtetit me dhunë.
Pushteti fitohet me votën e lirë qytetare e jo me akte të dhunës politike. Në këtë shtet vetëm vota e përcakton qeverinë, vota e lirë. Vetëm Parlamenti është përfaqësues legjitim i popullit dhe Qeveria që del nga zgjedhjet dhe Parlamenti.
Shantazhimet dhe ultimatumet e rrugës nuk do të kenë sukses.
Qeveria e Kosovës, siç e tha edhe kryeministri, populli i Kosovës, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës – që të gjithë janë kundër dhunës dhe ata që prodhojnë dhunë dhe që i gëzohen pamjeve të dhunës në Prishtinë janë minorancë.
Prandaj, ftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës për besim në institucione, në Policinë e Kosovës, në njëri-tjetrin dhe konsideroj që nuk ka asnjë arsye të kemi pamje të tilla në kryeqytetin tonë, pamje që e konfronton policinë me qytetarin tonë, ku të gjithë janë vëllezër e motra dhe kanë një qëllim – forcimin e shtetit të Kosovës dhe demokracisë.
Në të njëjtën kohë, ftojmë subjektet politike që çdo shqetësim të tyre ta zgjidhin dhe shprehin në Kuvend dhe me rrugë demokratike. Çdo veprim tjetër bën humbës qytetarin dhe shtetin tonë.
E ritheksoj edhe njëherë, sot në Prishtinë ka ndodhur ajo që më së paku i është dashur shtetit tonë të ri.
Ju faleminderit!
