Prishtinë, 08.07.2014
Sot u mbajt mbledhja e Bordit Drejtues të Peticionit nën drejtimin e Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, kryesuese e Bordit. Në këtë takim u vlerësua përkrahja për peticioni e Forumit mbështetës të shprehur në takimin e djeshëm si dhe idetë dhe rekomandimet që dolën nga pjesëmarrësit e këtij takimi.
Në këtë mbledhje bordi mori vendim që peticioni të nis me nënshkrime me 14 korrik dhe do të zgjas pesë ditë. Bordi Drejtues me këtë rast fton të gjithë qytetaret e vendit tonë që të japin kontributin e tyre dhe të dalin ta nënshkruajnë në mënyrë sa ma masive këtë peticioni, si një formë e shprehjes së fuqishme të mbështetjes për gratë tona viktima të dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, njëherësh duke dërguar mesazh të fuqishëm në të gjithë botën se “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”.
Në këtë takim po ashtu Bordi mori vendim që znj. Eliza Hoxha të jetë anëtare e këtij Bordi drejtues duke marrë për bazë kontributin e sajë përmes artit për këtë çështje të ndjeshme tragjike me projektin e saj për gratë e dhunuara gjatë luftës “Heshtja e këngës”.
Bordi falënderon të gjitha televizionet nacionale të cilat kanë pranuar të transmetojnë video mesazhin e peticionit pa pagesë dhe vlerëson se ky është një kontribut i mediave tona nacionale për të ndriçuar më tej këtë krim gjenocidal që gratë e Kosovës gjatë luftës.
Gjatë javës do të mbahen takime intensive me të gjitha strukturat komunale që janë pjesë e kësaj iniciative për te bashkërenduar veprimet në mënyrë që ky projekt te realizohet me sukses.
