11.01.2022

Në 38 – vjetorin e rënies, kryeministri Kurti vizitoi familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës

Gjilan, 11 janar 2022

Në 38 – vjetorin e rënies, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në Gjilan.

Në familjet Mala dhe Berisha kryeministri Kurti ka rikujtuar veprimtarinë patriotike dhe heroizmin e dy dëshmorëve, të cilët u vranë duke luftuar në një shtetrrethim të hekurt nga forcat serbe të policisë, në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, më 11 janar të vitit 1984.

Kryeministri Kurti tha se veprimtaria e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës frymëzon e inspiron secilin brez shqiptarësh, jo më pak se rënia e tyre heroike. “Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, në jetën dhe me veprën e tyre”, tha ai.

Lagja ku luftuan këta dy heronj mori emrin Kodra e Trimave. “E sakrifica e tyre u bë flakë e janarit që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, tha kryeministri Kurti.

Agjenda

Të gjitha