28.04.2021

Kryeministri Kurti u prit në takim nga kryeministri belg, Alexander De Croo

Bruksel, 28 prill 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka filluar vizitën zyrtare dy ditore në Bruksel. Ai është pritur në takim bilateral nga kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo.

Në këtë takim, kryeministri De Croo ritheksoi mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, e falënderoi kryeministrin De Croo për letrën e urimit me rastin e marrjes së detyrës, për mikpritjen, angazhimin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës nga ai dhe shteti belg në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe transatlantik. Ai e njoftoi kryeministrin De Croo për përkushtimin dhe prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Në takim, kryeministri Kurti dhe kryeministri De Croo, diskutuan rreth mundësive dhe formave të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve, me vëmendje të veçantë te përfshirja e mërgatës sonë, e cila është integruar mirë dhe kontribuon në Belgjikë. U bisedua për vaksinat kundër COVID-19, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e tyre dhe mundësitë e mbështetjes së Belgjikës në këtë synim.

Në këtë takim morën pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj dhe ministrja këshilltare, Gjeneza Budima.

 

Agjenda

Të gjitha