10.01.2022

Kryeministri Kurti: Telekomin e Kosovës do ta nxjerrim nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit

Prishtinë, 10 janar 2022

Ne jemi të interesuar që Telekomin, Valën ta bëjmë lider në Kosovë, ashtu siç ka qenë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës. Ai theksoi se për këtë arsye Qeveria ka dhënë mbështetje financiare në vitin që e lamë pas.

Për vitin 2022 jemi të interesuar që bashkërisht, edhe Qeveria edhe Telekomi i Kosovës ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve të Republikës si konsumatorë dhe të shtetit të Kosovës.

Bordi, menaxhmenti dhe punëtorët e Telekomit të Kosovës, u përgëzuan nga kryeministri për punën dhe angazhimin që e kanë bërë gjatë vitit 2021, por edhe më herët. Shumë prej punëtorëve këtu e kanë rimëkëmbur Telekomin e Kosovës, pas çlirimit të vendit, ndërsa para më shumë se një dekade i sjellnin dividendë milionëshe buxhetit të Kosovës, tha kryeministri.

Së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri Kurti takoi anëtarët e bordit dhe menaxhmentit të kësaj ndërmarrje publike, si dhe vizitoi centralin, ku takoi inxhinierët që mundësojnë operimin e Telekomit të Kosovës.

U ritheksua zotimi i Qeverisë për t’i përkrahur ndërmarrjet publike, dhe në veçanti Telekomin e Kosovës, duke pasur pritje të larta nga bordet e reja dhe strukturat e reja menaxheriale, në veçanti për vënie të ligjshmërisë e ndaljes së keqpërdorimeve, që i kanë karakterizuar ndërmarrjet në të kaluarën, ngritjes së performancës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe uljes së shpenzimeve operative.

U theksua se Telekomi i Kosovës është ndër ndërmarrjet publike kryesore që do të vazhdojë të ketë vëmendjen e Qeverisë, jo vetëm sepse operon me infrastrukturë kritike të telekomunikimit, por edhe sepse në shumë mënyra përfaqëson dhe është shembull për atë çfarë ka ndodhur me ndërmarrjet publike në Kosovë. Telekomi i Kosovës, një nga ndërmarrjet më të suksesshme publike për shumë vite, ka arritur në një pikë kritike, për shkak të keqpërdorimeve, kontratave të dëmshme, e punësimeve jomeritore.

Në takim u falënderua në veçanti kryeshefja e Telekomit të Kosovës, znj.Burbuqe Hana për punën e saj, që Telekomi i Kosovës të rikthehet ku e ka vendin, si epiqendër e telekomunikacionit në Kosovë.

U bisedua për performancën e kësaj ndërmarrje gjatë vitit 2021 dhe planet për të ardhmen, që do të sigurojnë që Telekomi i Kosovës të përmirësojë konkurrueshmërinë në treg.

 

Agjenda

Të gjitha