08.10.2021

Kryeministri Kurti në hapjen e projektit “Ura”: Vizioni ynё ёshtё tё formёsojmё njё shoqёri tё drejtё e tё barabartё

 

Prishtinë, 8 tetor 2021

“Vizioni ynë është të formësojmë një shoqëri të drejtë e të barabartë, të tillë që promovon krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, religjioni apo kulture”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e projektit “Ura” (“Bridge”), një iniciativë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës së Trajnimeve të RIT Kosovë.

“Diversiteti që ne kemi në Kosovë është vlerë e shtuar, prandaj kohezioni social dhe integrimi duhet të jenë shënjues të progresit tonë shoqëror e ekonomik”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi rëndësinë e arsimit dhe aktiviteteve multikulturore, që i edukojnë fëmijët e të rinjtë që të bëhen pjesëmarrës aktivë e kontribues efektivë për një shoqëri demokratike.
“Qeveria e Kosovës e sheh arsimin si platformë shumë të rëndësishme, me të cilën fuqizohen individët dhe shoqëria jonë, me të cilën krijohen potenciale që individët të shndërrohen në agjentë të ndryshimit dhe të bëhen kultivuesit kryesorë të transformimit social,” tha më tej kryeministri Kurti.

Krijimi i urave që ndihmojnë këtë komunikim të perceptimeve tona shoqërore, u vlerësua nga kryeministri si një mundësi më shumë për pranim të tjetrit dhe promovim demokratik të kulturave të ndryshme.

Bazuar në suksesin e dëshmuar të programeve të mëparshme të Ambasadës Amerikane në Kosovë, që vazhdon të jetë partner strategjik në zhvillimin social e ekonomik të Kosovës, kryeministri shprehu besimin se “Ura” do të shërbejë njëmend si urë lidhëse mes të rinjve kosovarë, të cilët kanë etni të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari nikoqir, Dr.Kamal Shahrabi, President dhe Dekan i Institutit të Rochesterit për Teknologji në Kosovë,
I nderuari z. Nicholas J. Giacobbe, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë,
E nderuara znj. Edona Maloku Bërdyna, Zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari z. Qëndron Kastrati, Kryetar i Komunës së Kamenicës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Profesorë e studentë, zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit për ftesën në hapjen e projektit “Bridge” apo “Ura, një iniciativë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës së Trajnimeve të RIT Kosovë, Training and Development Institute. Siç është dëshmuar nga suksesi i programeve të mëparshme të Ambasadës Amerikane në Kosovë, kam besim se “Bridge” do të shërbejë njëmend si urë lidhëse mes të rinjve kosovarë, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës, që kanë etni të ndryshme prej njëri-tjetrit.

Qëllimet e këtij projekti shkojnë përtej mësimit të gjuhës angleze për të rinjtë tanë. RIT Kosova dhe TDI kanë pas vetes një varg përpjekjesh të suksesshme në fuqizimin e të rinjve, duke filluar me sistemin e dyfishtë të arsimit që aplikon universiteti, ku studentët përgatiten për tregun e punës përmes punës praktike e cila është kusht për diplomim.

Unë shoh një ngjashmëri me këtë koncept te projekti “Bridge”; duke inkurajuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndëretnik, një dimension i ri në mësimin e gjuhës angleze. Pra, nuk është më vetëm mësim i një gjuhe të huaj si pjesë e planprogramit të shkollave tona, por transformim i lëndës së gjuhës angleze në mësimin e një aftësie që do t’i mundësojë të rinjve që të integrohen në nivel ndërkombëtar.

Ne shpresojmë që dizajni i projektit do të ketë sukses në stimulimin e bashkëpunimit ndëretnik, si një nga pjesët kyçe të planeve tona kombëtare për zhvillim ekonomik e shoqëror, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Qeveria e Kosovës e sheh arsimin si platformë shumë të rëndësishme me të cilën fuqizohen individët dhe shoqëria jonë, me të cilën krijohen potenciale që individët të shndërrohen në agjentë të ndryshimit dhe të bëhen kultivuesit kryesor të transformimit social.

Jemi të përkushtuar që të ngrisim cilësinë dhe gjithëpërfshirjen në arsim duke ofruar mundësi të barabarta, e duke krijuar mjedise të sigurta e miqësore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këtë po e bëjmë përmes politikave e programeve ku talenti, dija dhe puna e të rinjve optimalizohen. Po punojmë që të harmonizojmë më mirë e më saktë, shkathtësitë e njohuritë e të rinjve me nevojat e tregut, në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur e më konkurrues në vend, në rajon e në botë. Këtë lidhje të dijes me punën, shkathtësive me shërbimin, si dhe aftësimin me përvojën në punë synojmë ta arrijmë përmes sistemit dual të edukimit.

Jemi duke mbështetur programe që nxisin përfshirjen e grupeve të nën përfaqësuara, me fokus te vajzat e gratë, komunitetet jo-shumicë dhe personat me aftësi të kufizuar. Jam i lumtur që 1.000 studente vajza e gra do të përfitojnë bursa për studime në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Më lejoni ta përkujtoj se deri më tani kanë arritur rreth 450 aplikime, gjersa thirrja publike është e hapur deri më 20 tetor.

Ne jemi të gjithë qytetarë të barabartë para ligjit dhe paragjykimet i luftojmë kur punojmë edhe veprojmë bashkë. Vizioni ynë është të formësojmë një shoqëri të drejtë e të barabartë, të tillë që promovon krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie, religjioni apo kulture. Një hap i mirë në këtë drejtim është se nga 1 tetori i këtij viti arsimi i lartë në Kosovë është tash e tutje pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master.

Diversiteti që ne kemi në Kosovë është vlerë e shtuar, prandaj kohezioni social dhe integrimi duhet të jenë shënjues të progresit tonë shoqëror e ekonomik. Mu këtu hyn edhe rëndësia e arsimit dhe aktiviteteve multikulturore që i edukojnë fëmijët e të rinjtë të bëhen pjesëmarrës aktivë e kontribues efektivë për një shoqëri demokratike. Ne duhet t’i mësojmë gjeneratat e reja që të respektojnë individualitetin e identititetin e tyre, por në të njëjtën kohë të promovojnë respekt për të tjerët që nuk ndajnë të njëjtën prejardhje apo përkatësi.

Nxitja dhe forcimi i komunikimit ndëretnik e ndërkulturor shënon bazën e njohjes së tjetrit që është ndryshe, që flet gjuhë tjetër e që mbartë mënyra të tjera të të qenit.

Paragjykimet dhe urrejtja ushqehen nga padituria dhe izolimi që sjellin frikën për tjetrin si të huaj. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet të trajtojmë të tjerët siç nuk do të dëshironim të na trajtonin neve. Ne duhet të edukohemi, punojmë e veprojmë së bashku, ashtu që të rrisim mirëqenien dhe dijen, e të luftojmë paditurinë dhe paragjykimet.

Andaj, krijimi i urave që ndihmojnë këtë komunikim të perceptimeve tona shoqërore, është mundësi më shumë për pranim të tjetrit dhe promovim demokratik të kulturave të ndryshme.
Puna me grup-moshat e reja që promovojnë qasje të tillë është jo vetëm e mirëseardhur, por edhe e domosdoshme. Për këtë, të rinjve u duhet zë, u duhet pjesëmarrje aktive në vendimmarrje. Mu për këtë, rishtazi kemi emëruar Komisionin Shtetëror të Rinisë, si trup ndërinstitucional që do të fuqizojë rininë e të gjitha komuniteteve dhe do t’i mbrojë të drejtat e tyre. Përmes fuqizimit dhe maksimizimit të potencialit që kanë, ne rrisim edhe mirëqenien tonë kolektive.

Në përmbyllje, më lejoni të ju shprehë falënderimin dhe mirënjohen time të thellë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vazhdon të jetë partneri ynë strategjik në zhvillimin social e ekonomik të Kosovës përgjatë gjthë këtyre viteve.

I’m hopeful that this project will encourage the youth of Kosova to focus on and enact upon our similarities rather than our differences, and I look forward to meeting the first cohort of the program after its successful implementation.

RIT Kosova i partnerima želim mnogo uspjeha u projektu “Most”. Nadam se da ćete ojačati nove veze između mladih ljudi i radujem se da u budućnosti čujem priče uspešnik saradnji iz ovog projekta!

Unë i uroj RIT Kosovës dhe partnerëve të tij shumë sukses me projektin “Ura”. Shpresoj se do të urëzoni lidhje të reja bashkëpunimi ndërmjet të rinjve, duke uruar që të dëgjoj tregime bashkëpunimi të suksesshëm nga ky projekt!

Ju faleminderit! Hvala vam! Thank you!