Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, priti sot në takim Pieter Everaers, drejtor në EUROSTAT dhe kryesues i Operacionit Ndërkombëtarë për Monitorimin e procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

20 Shtator, 2012

Prishtinë, 20.09.2012
 
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, priti sot në takim Pieter Everaers, drejtor në EUROSTAT dhe kryesues i Operacionit Ndërkombëtarë për Monitorimin (IMO) të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë.
 
Në këtë takim u vlerësua lartë bashkëpunimi midis Qeverisë se Kosovës dhe Operacionit Ndërkombëtarë për Monitorim lidhur me Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që u mbajtë në Kosovë në vitin 2011, si dhe u shpreh kënaqësia e dyanshme për përfundimin me sukses të këtij projekti, rezultatet përfundimtare të të cilit do të shpallen nesër më 21 shtator, me një konferencë ndërkombëtare  që do të mbahet në Prishtinë.
 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, falënderoi personalisht z. Everaers, EUROSTAT-in, si dhe Operacionit Ndërkombëtarë për Monitorim të cilët dhanë mbështetje të fuqishme për procesin e regjistrimit në Kosovë dhe finalizimi i këtij projekti me rëndësi nacionale dhe sipas standardeve më të larta ndërkombëtare e evropiane.
 
Ndërkaq, z. Everaers, shprehu kënaqësi për këtë bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv duke theksuar se projekti për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, është realizuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe se IMO vlerëson pozitivisht rezultatet e regjistrimit dhe gjithë angazhimin dhe profesionalizmin në realizimin e këtij projekti.
 
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo ishte një përvojë e mirë në fushën e statistikave të Kosovës. Ata theksuan se të dhënat zyrtare të numrit të popullsisë, dhe kushtet sociale dhe jetësore janë një faktor i rëndësishëm për analizat e zhvillimit të qëndrueshëm të shtetit të ri të Kosovës në të gjitha fushat, e veçmas në atë ekonomik, demografik, shkencorë etj. 

Last modified: 20 Shtator, 2012

Comments are closed.

×