Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi zhvilloi takimin e rregullt me organizata të shoqërisë civile

8 Nëntor, 2022

Prishtinë, 8 nëntor 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zhvilloi takimin e rregullt me organizata të shoqërisë civile për muajin nëntor.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi, tha se ky është takimi sektorial i 6-të me radhë dhe është ftuar të mbahet për fushën e ekonomisë si rezultat i kërkesave të organizatave për të diskutuar për këtë temë. “Kjo fushë në të njëjtën kohë përmban edhe prioritetet e planit të punës për Qeverinë, prandaj edhe konsultimet me shoqërinë civile në tema që kanë të bëjnë me këtë fushëveprim janë të rëndësishme për formulim të politikave dhe implementim të tyre”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Bashkëpunimi ynë bazohet në mirëbesim dhe përkushtim reciprok ndaj reformave, pjesëmarrje të rregullt të të dyja palëve, bashkëpunim të rregullt dhe gjithëpërfshirës si dhe konkretizim në fusha sektoriale specifike.

U diskutua gjithashtu dhe mbi prioritetet që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave si rritja e punësimit dhe mirëqenies së përgjithshme dhe vazhdimi i luftës kundër informalitetit.

Përkatësisht u diskutua për ndërmarrjen e masave për punësim aktiv përmes skemave të parapara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, rritjen e punësimit dhe përforcimit të të drejtave të punëtorëve duke inkurajuar përfshirjen e grave, pakicave dhe personave me aftësi të kufizuara në treg të punës, zbatimin e Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve që synon integrimin e të rinjve në tregun e punës, mbështetja e sektorit privat me qëllim të lehtësimit të pasojave ekonomike të pandemisë Covid-19 dhe stimulimit të rimëkëmbjes ekonomike, përfitimet sociale për grupet më të prekura nga kriza, fuqizimi i Inspektoratit të Punës, luftimi i ekonomisë jo-formale me fokus në punën e padeklaruar, luftimi i evazionit tatimor, shmangies tatimore dhe zgjerimi i bazës tatimore.

Takimi i fundit sektorial për këtë vit, pritet të mbahet në muajin dhjetor, për fushën e energjisë.

Last modified: 9 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×