Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias

3 Mars, 2023

Athinë, 3 mars 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi përforcoi mesazhin e Kryeministrit Kurti, në solidaritet dhe mbështetje të Kosovës ndaj Greqisë në këtë moment të vështirë pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur gjatë kësaj jave.

Marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre u biseduan më tej gjatë takimit. Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese mes vendeve tona mund të fuqizohen përmes bashkëpunimit në sfera të ndryshme me interes të përbashkët. Synimi ynë është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe ndërveprimi me një vend mik dhe partner siç është Greqia.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi zhvillimet në lidhje me rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe hapat e ndërmarra si dhe procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

Last modified: 3 Mars, 2023

Comments are closed.

×