Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

25 Tetor, 2022

Prishtinë, 25 tetor 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi angazhimin dhe konstruktivitetin e vazhdueshëm, që nga fillimi i mandatit, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me fokus në marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Tutje, z. Bislimi e informoi Sir Stuart Peach rreth situatës me energji në veri si dhe me situatën energjetike në Kosovë në përgjithësi, për të cilën z. Peach ofroi disponueshmërinë e tij, të ndihmojë aty ku është e mundur, duke patur parasysh krizën e përgjithshme që ka kapluar Evropën.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se për Kosovën, Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe vazhdon të mbetet aleat i fuqishëm dhe përfshirja e tyre në proceset me rëndësi nëpër të cilat po kalon vendi, është pozitive për ne si shtet. Z. Peach theksoi që Mbretëria e Bashkuar do ta përkrahë Kosovën nga pozita ku ndodhet, sidomos në kuadër të aleancës së NATO-s.

Last modified: 25 Tetor, 2022

Comments are closed.

×