Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim një delegacion nga Komiteti Evropian i Rajoneve

24 Tetor, 2022

Prishtinë, 24 tetor 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion nga Komiteti Evropian i Rajoneve (CoR), i kryesuar nga z. Nikola Dobroslavić. Zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej në këtë takim nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Mes dy palëve u bisedua mbi avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe progresin e arritur. Kryesuesi i këtij delegacioni tha se e mbështet rrugëtimin e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nevojitet përmbushja e reformave dhe arritja e standardeve të BE, ku dhe shprehu se sheh zhvillime pozitive në Prishtinë, dinamike dhe shpreson që Kosova t’i arrijë objektivat e saj. Z. Bislimi foli mbi agjendën evropiane të vendit dhe hapat që po ndërmerren në rrugëtimin drejt BE. U shpreh objektivi për aplikimin për anëtarësim në BE, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat dhe përkushtimin në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova gjendet në një trajektore të re të zhvillimit, e cila u reflektua dhe në raportin më të fundit për vendin të Komisionit Evropian. Ky ishte raporti më i mirë i prodhuar ndonjëherë për Kosovën, ndërsa në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ky ishte raporti me progresin më të lartë për vitin 2022.

Në vijim, u diskutua dhe mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes Kosovës dhe CoR, përmes përfshirjes së Kosovës në raportimet, opinionet dhe publikimet e këtij Komiteti në fusha të ndryshme. U kërkua dhe mbështetja për pjesëmarrjen e Kosovës në programet transnacionale dhe përkrahjen në zhvillimin ekonomik lokal dhe agjendën e gjelbër.

CoR ka një rol statutor në politikën e zgjerimit të BE-së nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim Asocimit duke krijuar Komitete të Përbashkëta Konsultative (KPK) për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve lokale dhe rajonale në BE dhe vendet në zgjerim, dhe për t’i mbështetur ato në rrugën e tyre drejt BE.

Ditën e nesërme do të mbahet grupi punues për bashkëpunimin e Komitetit Evropian të Rajoneve me Ballkanin Perëndimor, për të adresuar sukseset, sfidat dhe përfshirjen e Komunave të Kosovës në kuadër të përmbushjes së agjendës evropiane.​

Last modified: 24 Tetor, 2022

Comments are closed.

×