Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias

8 Qershor, 2022

Prishtinë, 8 qershor 2022

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në Kosovë dhe më tej në një takim të përbashkët Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Në takimin zyrtar të dy delegacioneve, z. Dendias theksoi energjinë e re, pozitive dhe potencialin e Kosovës, për shkak edhe të moshës mesatare të ulët të popullsisë dhe reflektimit në politikat e Qeverisë, që mund të shërbejë si shembull edhe për Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi pohoi potencialin zhvillimor të Kosovës. E falënderoi shtetin e Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Z. Dendias tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se rruga e duhur është ajo e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, ku Kosova është dhe do të mbetet e angazhuar maksimalisht në qasje konstruktive, përmes propozimeve dhe alternativave për të ecur drejt një marrëveshjeje të përhershme dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

Last modified: 13 Korrik, 2022

Comments are closed.

×