Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin

14 Maj, 2022

 

Prishtinë, 14 maj 2022

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi i uroi z. Sarrazin mirëseardhje në Kosovë. Gjithashtu, shprehu vlerësim të thellë për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi njoftoi Emisarin Sarrazin për përkushtimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Përsa i përket raundit të fundit të bisedimeve, Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente për çështjen e targave të veturave, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces.

Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje për angazhimin e z. Sarrazin në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e rëndësishëm të shtetit të Gjermanisë.

 

Last modified: 18 Maj, 2022

Comments are closed.

×