Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim drejtuesin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, Petr Mareš

18 Maj, 2022

Prishtinë, 18 maj 2022

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim drejtuesin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, Petr Mareš.

Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit mbështet bashkëpunimin rajonal ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, për të avancuar marrëdhëniet e tyre, shkëmbimin e ideve dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.

Me drejtuesin e këtij fondi, z. Petr Mareš, biseduam për mundësitë e bashkëpunimit dhe gjetjen e mënyrave të ofrimit të një kontributi të rëndësishëm. Përmes bursave për studentë apo mbështetjes së shoqërisë civile mund të lindin projekte kërkimore, ndihma dhe iniciativa të cilat promovojnë bashkëpunimin rajonal dhe forcojnë lidhjet mes shteteve.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e Evropës së bashkuar, duke pasur parasysh kërcënimet që vijnë nga Federata Ruse dhe agresionin rus në Ukrainë. Konsolidimi i bashkëpunimit mes vendeve është rruga e duhur në luftimin e faktorëve destabilizues.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Mareš për vizitën dhe shprehu mirënjohje për gatishmërinë në zgjerimin e raporteve dhe thellimit të bashkëpunimit.

Last modified: 19 Maj, 2022

Comments are closed.

×