Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi pritet në takim në Komunën e Bujanocit

5 Shtator, 2022

Bujanoc, 5 shtator 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, është pritur në komunën e Bujanocit nga kryetari Nagip Arifi. Z. Bislimi është shoqëruar në këtë takim dhe nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Kryetari Arifi e mirëpriti zëvendëskryeministrin Bislimi në zyrën e tij ku diskutuan mbi sfidat, me të cilat jeton çdo ditë Komuna e Bujanocit. Mungesa e përfaqësimit dhe kuotave të komunitetit shqiptar ishin ndër shqetësimet kryesore të ngritura. Shpopullimi dhe largimi i rinisë janë problematika, të cilat duhet të parandalohen për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve në shkolla dhe ndikimit në mungesën e kuadrove të përgatitura.

Zëvendëskryeministri u shpreh se janë të vetëdijshëm për problemet e shumta ekzistuese, për të cilat kërkojnë në vazhdimësi simetri dhe barazi në trajtimin e komunitetit shqiptar. Ndërkombëtarizimi i problematikave është i nevojshëm për ngritjen e ndjeshmërisë ndaj temave në fjalë dhe kërkimin e trajtimit të barabartë. Nga çdo proces që e ndërmarrim, frytet dhe të mirat duhet të reflektohen në Luginën e Preshevës, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimi në inicimin e projekteve të përbashkëta është i rëndësishëm për Luginën. Fondi i ndarë nga Qeveria për Luginën ka pikërisht këtë pikësynim, në mënyrë që të ruhet tradita kulturore dhe historike e këtyre zonave. Një hap i rëndësishëm u nis ditën e sotme, ku u siguruan tekstet mësimore për nxënësit e shkollave fillore. Thirrjet publike për aplikime dhe projekte të përbashkëta, si dhe rritja e mbështetjes buxhetore për Luginën, janë objektiva të Qeverisë në të ardhmen e afërt.

Last modified: 5 Shtator, 2022

Comments are closed.

×