Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

8 Tetor, 2022

Prishtinë, 8 tetor 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë në seminarin e 102-të, Rose- Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Z. Bislimi ishte pjesëmarrës në sesionin e tretë të këtij seminari, me temë ‘’Hapat e ardhshëm të rajonit, në procesin e Integrimit Evropian’’.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi sfidat me të cilat është përballur jo vetëm Kosova por edhe i gjithë kontinenti evropian: nga efektet e pandemisë së Covid-19, ku dhe vlerësoi mbështetjen e BE-së dhe shteteve aleate deri tek krizat e shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, si ajo e energjisë dhe inflacioni.

U theksuan prioritetet e Qeverisë Kurti II, të fokusuar në dy shtylla kryesore: punësim dhe drejtësi. Rritja ekonomike duhet të jetë e qëndrueshme, ku vendosim theks të veçantë tek stabiliteti social dhe shpërndarja e barabartë. Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7%, ka patur rritje të madhe në eksportet prej më shumë se 67% në baza vjetore, rritje të investimeve të huaja direkte dhe përpjekje të suksesshme në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Gjithashtu, të hyrat buxhetore u rritën me mbi 30%. ‘’Kur qytetarët dhe komunitetet e bizneseve i besojnë institucioneve, kjo përkthehet në performancë më të mirë’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi. Ky progres, reflektohet dhe në rangimet botërore si rritje me 17 pozicione në indeksin e Transparency International e po ashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më tej, z. Bislimi foli mbi objektivat e agjendës evropiane të Kosovës, ku këtë vit kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është vendosur në krye të agjendës çështja e liberalizimit të vizave dhe është punuar me shtetet anëtare në këtë drejtim. Kemi shfaqur objektivin e aplikimit për anëtarësim në BE brenda këtij viti, kur kanë kaluar 6 vite që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Kosova mbetet vendi i vetëm i cili akoma nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE. Gjithashtu, është shprehur objektivi për anëtarësim në NATO, duke nisur nga anëtarësimi në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Sa i përket çështjes së dialogut, Kosova ka një qasje konstruktive, është palë aktive, e përkushtuar në proces dhe me objektiv arritjen e një marrëveshjeje finale, të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.

Last modified: 10 Tetor, 2022

Comments are closed.

×