Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në hapjen e panairit Expokos 2022

25 Maj, 2022

Prishtinë, 25 maj 2022

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi mori pjesë në hapjen e panairit Expokos 2022, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ky panair është në edicionin e tij të 21-të dhe konsiderohet më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimor, dedikuar bizneseve të sektorëve të ndërtimit, energjisë, makinerisë dhe sigurisë në punë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se përkrahja e Qeverisë së Republikës së Kosovës është e fokusuar për prodhuesit vendor, duke ju dhënë kështu mbështetje për të hapur tregje të reja, konform programit qeverisës, i cili ka si shtyllë zhvillimin ekonomik.

Këtë radhë Qeveria ka përkrahur 21 kompani prodhuese vendore, të cilat kanë shprehur interes të jenë pjesë e panairit. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet maksimalisht në zhvillimin e vendit ku dhe po shënohen të arritura pozitive si zhvillimi dyshifror ekonomik, rritja e eksportit për 83.6% në krahasim me vitin e kaluar, rritje e të hyrave buxhetore për 30%, rritja e investimeve kapitale në vitin 2021 me 10,3%.

Këto arritje në ekonomi do të ishin të pamundura pa i komplementuar ato me politika zhvillimore në fushat e tjera si: mbështetja sociale, krijimi i vendeve të punës, gjithëpërfshirja në hartimin e politikave, arsimi, infrastruktura, bujqësia, dhe energjia.

Panairi ofron mundësinë e ndërtimit të shumë partneriteteve të reja të kalibrit ndërkombëtar, duke pasur parasysh pjesëmarrjet edhe nga vendet si Gjermania, Greqia, Italia, Turqia dhe vendet fqinje.
Expokos është panair i certifikuar edhe nga Institucioni më i lartë Botëror i Industrisë së Panaireve me seli në Francë, Unioni i Panaireve Internacionale. Për herë të parë pas dy dekadave, ky panair po organizohet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Last modified: 30 Maj, 2022

Comments are closed.

×