Prishtinë, 18 maj 2022
Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim diplomatë të rinj nga 33 vende të botës, në kuadër të Shkollës Pranverore, të cilën e organizon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, në programin e saj të Akademisë Diplomatike.
Zëvendëskryeministri Bislimi i njohu diplomatët e rinj me procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe realitetit politik aktual. Gjithashtu, i prezantoi me tre shtyllat e angazhimit të tij, të cilat janë Integrimi Evropian, Zhvillimi dhe Dialogu. Zhvillimi që po e njeh Kosova, me rritjen e saj ekonomike dyshifrore për vitin 2021, tregon për një vend me përmasa të vogla, por me potencial të madh zhvillimor.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi përvojën e tij si kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, duke shprehur rëndësinë e procesit dhe vazhdimësinë e tij.
Gjeneratat e reja janë definuese të së ardhmes tonë të përbashkët, e cila duhet të jetë e karakterizuar nga paqja, demokracia dhe prosperiteti.
Last modified: 19 Maj, 2022