Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Koordinatoren për Procesin e Zhvendosjes së Afganëve, Ambasadoren Elizabeth Jones

1 Mars, 2022

Prishtinë, 1 mars 2022

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti sot në takim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Koordinatoren për Procesin e Zhvendosjes së Afganëve, Ambasadoren Elizabeth Jones, së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Në takim, u bisedua mbi çështjen e strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë. Ambasadorja Jones tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë maksimalisht kontributin dhe angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në strehimin e qytetarëve të shpërngulur nga konflikti në Afganistan. Koordinimi që ka ekzistuar në këtë drejtim me autoritetet në Republikën e Kosovës, u përmend si një prej bashkëpunimeve operacionale më efektive që SHBA-të e kanë patur me partnerët e tyre.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson gjithashtu maksimalisht partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se është nder të ndërveprojmë dhe bashkëpunojmë në çështje humanitare, për refugjatët të cilët kishin nevojë për mbështetjen tonë e që po i ndihmojmë këtij procesi, së bashku me shtetet partnere të Republikës së Kosovës, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ecuria e procesit ka qenë pozitive dhe Kosova do vazhdojë të përkushtohet maksimalisht për garantimin e sigurisë dhe ofrimin e kushteve të mira për refugjatët afgan brenda kapaciteteve tona.

Last modified: 1 Mars, 2022

Comments are closed.

×