Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi organizoi drekë pune me Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović

18 Maj, 2022

Prishtinë, 18 maj 2022

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi organizoi drekë pune me Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović.

Kosova dhe Mali i Zi ndajnë së bashku të ardhmen e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, për të cilën po angazhohen maksimalisht në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, në këtë rrugëtim gjithëpërfshirës që parasheh Procesi i Berlinit. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe përkushtimin ndaj fqinjësisë së mirë.

Gjithashtu, Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi dialogun me Serbinë, ku theksoi se Kosova është e përkushtuar në arritje të marrëveshjeve permanente për çështje të ndryshme, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja si ajo e targave, nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces.

Zëvendëskryeministri Bislimi dhe Presidenti Đukanović shprehën gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë mes dy qeverive dhe për të lëvizur drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike në të mirë të qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.​

Last modified: 31 Maj, 2022

Comments are closed.

×