Zyra e Kryeministrit

Vendoset gur themeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të Gjakovës

19 Tetor, 2022

 

Rezinë, Gjakovë 19 tetor 2022

Pas ceremonisë së vendosjes së gur themelit për ndërtimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në Ponoshec të Gjakovës, po sot, u vendos edhe gur themeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të kësaj komune, po ashtu investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, për shkak se të gjitha studimet kanë treguar që suksesi në shkollat fillore është i lidhur drejtpërsëdrejti me suksesin që kanë treguar fëmijët në shkollimin parashkollor, pra çerdhe.

“Edukimi parashkollor është vendimtar për suksesin e mëtutjeshëm në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve” u shpreh ai.

Objekti dykatësh, me gjithsej 1400 metra katror, është i planifikuar për 150 fëmijë. Ai do të këtë shtatë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për qëllime të ndryshme, kuzhinën, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratës dhe një hapësirë shtesë teknike.

Sipas kontratës, koha e realizimit të këtij projekti është 24 muaj, ndërkaq vlera e investimit është rreth 759 mijë euro.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në fund të muajit shtator ishin nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Miresh të Gjilanit, Kamenicë dhe Gjakovë, të cilës iu vendos gur themeli sot.

 

 

Last modified: 19 Tetor, 2022

Comments are closed.

×