Zyra e Kryeministrit

Urimi për Ditën Evropiane të Gjuhëve

26 Shtator, 2022

 

Prishtinë, 26 shtator 2022

Data 26 Shtator shënohet në gjithë Evropën si Dita Evropiane e Gjuhëve, duke nisur nga bindja që shumëllojshmëria gjuhësore është mjet për të arritur mirëkuptim të shtuar ndërkulturor dhe që ajo është element i trashëgimisë së pasur kulturore të kontinentit. Qytetarë anembanë Evropës janë të inkurajuar vazhdimisht për të zbuluar dhe mësuar gjuhë të reja.

Kosova është shoqëri shumëgjuhëshe dhe kjo vlerë ka rrënjë të thella në vendin tonë.

Gjatë këtij viti që po lëmë pas, së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Zyrën e Komisionerit të Gjuhëve:

– Kemi themeluar Programin Ballkanistik tek Universiteti i Prishtinës, ku studentë nga të gjitha komunitetet mund t’i mësojnë gjuhët e popujve të Ballkanit. Këtë vit akademik, 15 studentë janë regjistruar në program dhe shpresojmë se kjo shifër do të rritet në vitet e ardhshme;
– Korniza kurrikulare e Kosovës ka hapur mundësinë e integrimit të gjuhëve të komuniteteve si lëndë zgjedhore;
– Kemi shtyrë përpara iniciativën për themelimin e një njësie për përkthim dhe harmonizim, e cila do të merret me legjislacion shumëgjuhësh;
– Kemi mbështetur funksionimin e platformës online “VOC-UP” për të mësuarit e gjuhëve, përmes së cilës më shumë se 70,000 qytetarë të Kosovës kanë marrë të paktën njohuri bazike të gjuhës shqipe apo serbe.

Duke uruar këtë ditë, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me Komisionerin e Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slaviša Mladenovic.

Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj promovimit të vlerës së shumëgjuhësisë, duke marrë parasysh se kjo vlerë është mjet për ta ruajtur karakterin e pasur dhe të shumëllojshëm të shoqërisë sonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të dyfishojë përpjekjet e veta për të siguruar mbrojtjen e së drejtës për të përdorur gjuhët zyrtare.

Urime Dita Evropiane e Gjuhëve!

Last modified: 26 Shtator, 2022

Comments are closed.

×