Zyra e Kryeministrit

U prezantua grupi punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031

18 Nëntor, 2021

Prishtinë, 18 nëntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në prezantimin e grupit punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031.

Sektori i energjisë është sektor prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse ky sektor prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve, tha në fillim të fjalës së tij hyrëse, kryeministri Kurti.

Në njëzet vitet e fundit, sektori i energjisë në vend nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve, e që është bazuar në studime, analiza shumë-dimensionale e në të dhëna faktike.

Ndërsa, gjatë qeverisjes sonë ne po hartojmë Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2020-2031, e cila është e para strategji e energjisë, e cila do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve, u shpreh me tej kryeministri Kurti.

“Synimet tona në sektorin e energjisë dhe gatishmëria jonë janë në përputhshmëri me reformat që po miratohen e që po promovohen në nivel evropian e së fundi edhe në Konferencën e 26-të të shteteve nën Konventën e OKB-së për ndryshime klimatike, që u mbajt në Glasgow”, theksoi kryeministri.

Ai veçoi skemat mbështetëse konkurruese, si shembuj të mënyrave që do të ndihmojnë në uljen e çmimeve për zhvillimin e energjisë së pastër, sepse, siç deklaroi kryeministri Kurti, strategjia duhet po ashtu të sigurojë që energjia elektrike përveçse e qasshme, të jetë edhe e përballueshme për qytetarët, në veçanti për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se si Ministri e Ekonomisë jemi të angazhuar, që së bashku me grupin punues të zhvillojmë një strategji, që do të sigurojë një tranzicion energjetik e që për vizion ka dekarbonizimin deri në vitin 2050, ndërkohë që ruan sigurinë energjetike dhe të përballueshme për konsumatorët, rritë përdorimin e energjisë së pastër, dhe siguron integrim rajonal të tregut të energjisë në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme. “Siguria e furnizimit me energji elektrike mbetet shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik”, tha ministrja Rizvanolli.

Kryeministri i uroi punë të mbarë grupit punues dhe i ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë, duke i inkurajuar që gjatë hartimit të strategjisë të ftojnë edhe ekspertë tjerë të jashtëm, shoqërinë civile, sektorin privat vendor, dhe akterë tjerë që të kontribuojnë në hartimin e një strategjie transparente. Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli shprehën mirënjohjen e tyre për grupin e ekspertëve, ndihmën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe të gjithë kontribuuesve të tjerë.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

E nderuar Ministre Rizvanolli,

Të nderuar anëtarë të Grupit Punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë,

I nderuar Z. Oven,

Sektori i energjisë është sektor prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, një sektor ky i cili prekë çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë. Gjatë njëzet viteve të fundit, sektori i energjisë në vend nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve që është bazuar në studime, analiza shumë-dimensionale e të dhëna faktike. Ne duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset, në mënyrë që të kemi jetë normale për qytetarët si konsumator, si dhe zhvillim ekonomik, industrial e punësim në vend.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 është strategjia e parë e energjisë në Kosovë, e cila përpos që do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve, është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente.

Për këtë arsye ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme të zhvillimit të një Strategjie Kombëtare të Energjisë dhe identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që sektori jonë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik – tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet tjera.

Synimet tona në sektorin e energjisë dhe gatishmëria jonë janë në përputhshmëri me reformat që po miratohen e po promovohen në nivel Evropian e së fundi edhe në Konferencën e 26-të të shteteve nën Konventën e OKB-së për ndryshime klimatike që u mbajt tash së fundmi në Glasgow.

Strategjia jonë e energjisë do ketë objektiva mjaft ambicioze drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit. Këto objektiva do të përfshijnë një seri praktikash të bazuara në praktikat më të fundit e më të mira në Shtetet e Bashkuara, në Evropë e në vendet tona partnere të cilat kanë filluar rrugën e tyre të tranzicionit para nesh.

Skemat mbështetëse konkurruese janë vetëm një shembull i mjeteve që do të na ndihmojnë të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër. Kjo është e rëndësishme sepse strategjia gjithashtu duhet të sigurojë që energjia elektrike do të jetë e qasshme dhe e përballueshme për qytetarët tanë, e veçanërisht konsumatorët e cenueshëm të cilët do të mbështeten nga Qeveria.

Andaj do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme, të cilët do të përfshijnë programe sikurse: shfrytëzimi i paneleve solare në çati për kursime, adaptimi i masave të efiçiencës së energjisë etj. për t’u siguruar që tranzicioni do të jetë i drejtë për të gjithë.

Është e qartë për qeverinë tonë se tranzicioni energjetik varet shumë nga aftësia jonë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit.

Ne planifikojmë të sinjalizojmë angazhimin tonë ndaj perspektivës së re të energjisë përmes hapave kryesorë në vijim:

E para, ne planifikojmë të vendosim një kuadër ligjor dhe rregullator që do të lehtësojë tranzicionin e drejtë të energjisë. Promovimi i burimeve të ripërtrishme të energjisë, efikasiteti i energjisë dhe integrimi në tregjet rajonale, përfaqësojnë shtyllat kryesore të kornizës – kuadri rregullator e këtë rast do të përafrohet me objektivat evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për të tërhequr investime të mëtejshme.

E dyta, ne do të fillojmë të përgatisim sistemet tona të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë për të integruar më shumë kapacitete të energjisë së ripërtrishme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës.

Përmbushja e kërkesave ambicioze të dekarbonizimit është sfiduese, por gjithashtu paraqet një mundësi për Kosovën që të diversifikojë prodhimin e saj me energji të ripërtrishme. Është e rëndësishme që procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë të jetë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Konsultimet dhe sesionet dëgjimore me ekspertë e profesionistë përgjatë gjithë procesit do të sigurojnë që Strategjia Kombëtare e Energjisë të pasqyrojë një vizion të përbashkët për të ardhmen energjetike të Kosovës. Ky grup punues ka mbështetjen tonë të plotë. Ne i inkurajojmë që gjatë hartimit të strategjisë të ftojnë edhe ekspertë tjerë të jashtëm, shoqërinë civile, sektorin privat vendor, dhe akterë tjerë që të kontribuojnë në hartimin e një strategjie transparente.

Së fundi, Qeveria e Kosovës e veçanërisht Ministria e Ekonomisë është tejet mirënjohëse për grupin e ekspertëve, për ndihmën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe të gjithë kontribuesit tjerë të cilët janë duke u siguruar që qytetarët e Kosovës kanë përpara një proces të drejtë dhe në dobi të tyre.

Jemi të lumtur të vazhdojmë punën për një të ardhme energjetike të Kosovës më të ndritshme, më të qëndrueshme dhe më miqësore për mjedisin tonë.

 

Last modified: 18 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×