Zyra e Kryeministrit

U mbajt takimi i tetë i Komisionit për Planifikim Strategjik

24 Gusht, 2022

Prishtinë, 24 gusht 2022

Në takimin e tetë të Komisionit për Planifikim Strategjik, në rend dite ishte shqyrtimi dhe miratimi i pakos së aplikacioneve për raundin 8 të asistencës teknike dhe raundin e shtatë të granteve investuese të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Kryeministri Kurti bëri të ditur se në kuadër të raundit të 28-të të asistencës teknike, janë zhvilluar dy aplikacione nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të përgatitur investimet për pastrimin dhe gjelbërimin e tokave të kontaminuara, si dhe investimet për sa i përket programit të banimit social.

Ndërsa, në kuadër të granteve investuese, kryeministri theksoi se janë dy aplikacione të përgatitura nga Ministria e Ekonomisë dhe institucionet e tjera, të cilat fokusohen në energjinë diellore, njëra për gjenerimin e energjisë elektrike në hapësirat e KEK-ut dhe tjetra për të rritur kapacitetet e ngrohtores së kryeqytetit.

Në takimin e tetë të Komisionit për Planifikim Strategjik, si pikë e dytë e rendit, u prezantua dhe diskutua Programi për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027.

Kryeministri deklaroi se, reforma e administratës publike është prioritet në qeverisjen tonë. Një aspekt veçanërisht i mirë, tha kryeministri është se në të njëjtën kohë me këtë program, është duke u finalizuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2026.

‘’Të tri këto dokumente janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, në drejtim të një qëllimi të përbashkët – lehtësimit të marrjes së shërbimeve nga ana e administratës publike’’, u shpreh ai.

Në këtë takim, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dha detajet e tjera në lidhje me programin, ndërsa u bisedua edhe për hapat e ardhshëm drejt zbatimit.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.

×