Zyra e Kryeministrit

U mbajt takimi i parë i Komisionit për Transformim Digjital

23 Dhjetor, 2022

Prishtinë, 23 dhjetor 2022

Digjitalizimi i gjithmbarshëm është një nga objektivat kyçe të programit qeverisës dhe është pjesë e të gjitha shtyllave të Planit Kombëtar për Zhvillim 2030, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Komisionit për Transformim Digjital.

Kryeministri Kurti theksoi se përmes zhvillimit të qeverisjes elektronike po synojmë rritjen e transparencës e llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Me digjitalizimin, që është i ndërlidhur ngushtë me reformën dhe modernizimin e administratës publike, do të krijohen shërbime elektronike, që në qendër e kanë qytetarin, shtoi ai.

Duke pasur parasysh rëndësinë e transformimit digjital në të gjitha fushat e qeverisjes, dhe nevojën për avancim të mekanizmave qeverisës për realizimin e këtij transformimi, është themeluar Komisioni për Transformim Digjital, që do të mbikëqyrë dhe sigurojë mbarëvajtjen e procesit të transformimit digjital. Komisioni do të shqyrtojë dhe miratojë prioritetet strategjike dhe iniciativat e politikave të reja të Qeverisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, ofrojë drejtim strategjik, si dhe do të sigurojë koordinim ndërinstitucional në projektet me rëndësi të lartë në këtë fushë.

Në takim u theksua se gjatë këtij viti që po e lëmë pas, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë disa hapa të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit:

Janë lansuar një sërë shërbimesh elektronike për qytetarë dhe biznese, duke u përqendruar në shërbimet më të përdorura, që kanë shkaktuar më së shumti radhë nëpër sportele.

Është lansuar sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit dhe kemi filluar me pilotimin e projektit të rëndësishëm të ndërlidhjes së qytetarit me adresë.

Qeveria ka aprovuar strategjinë e re të arsimit, ku digjitalizimi në arsim është një nga 5 shtyllat e saj.

Është miratuar në Qeveri projektligji për sigurinë kibernetike dhe është lansuar sistemi për monitorimin e spektrit frekuencor.

Është promovuar lansimi i qendrës së të dhënave për Rrjetin Akademik dhe Hulumtues të Kosovës.

Vendi ynë për herë të parë u bë nikoqir i Samitit Digjital regjional.

Qeveria është në finalizim të dokumenteve kyçe strategjike të strategjisë së e-qeverisjes, strategjisë së sigurisë kibernetike dhe agjendës digjitale.

Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të projekteve strategjike me partnerët zhvillimorë si USAID, GIZ dhe Banka Botërore.

Së fundmi, progresi jonë në fushën e digjitalizimit është njohur edhe nga Indeksi i Bankës Botërore të maturitetit të teknologjisë në qeveri (GTMI). Kosova këtë vit është kategorizuar në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale, që shënon përparim nga viti 2020, kur ka qenë e kategorizuar në grupin C të vendeve me fokus të kufizuar në qeverisje digjitale.

 

Last modified: 23 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×