Zyra e Kryeministrit

U inaugurua Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut

12 Prill, 2022

Prishtinë, 12 prill 2022

Është inauguruar sot Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i themeluar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes themelimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pjesëmarrës në këtë inaugurim, tha se Kosova do të ketë mundësi për të dëshmuar përpara të gjithë botës, përmbushjen e zotimeve të veta në këto fusha.

Pas një viti në detyrë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha këto drejtime, tha kreu i Qeverisë, derisa shtoi se në fushën e antikorrupsionit, janë nisur reforma të thella në kornizën ligjore, duke miratuar koncept dokumentin për procesin e vettingut dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Më tej kryeministri Kurti përmendi edhe aksionet e Policisë së Kosovës në vend dhe operacionet e suksesshme të realizuara nga ta, ndërkaq tha se në vitin 2021, Kosova ka përparuar për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës “Transparency International”. Dhe ajo ka zënë vendin e parë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor në Indeksin e Sundimit të Ligjit të “World Justice Project”.

“Qeveria jonë, mes arritjeve të tjera, ka alokuar 500 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas; ka rritur për 33% pensionet për personat me aftësi të kufizuara; si dhe po promovon pjesëmarrjen sa më të barabartë të grave në sektorin privat, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike”, u shpreh kryeministri, i cili tha se këto janë vetëm disa nga mënyrat se si po arrijmë të ndërtojmë një shoqëri edhe më të lirë dhe gjithëpërfshirëse se përpara.

Dhe në fushën e mbrojtjes kundër autoritarizmit, Republika e Kosovës u është bashkuar të gjitha sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja ndaj Federatës Ruse dhe oligarkëve rus pas invazionit në Ukrainë.

Kryeministri Kurti garantoi se Qeveria e Kosovës do të jetë me të gjitha mjetet në dispozicion në mbrojtjen e këtyre vlerave, ndërkaq u shpreh se sigurimi i paqes në Ballkan dhe më tej, varet drejtpërsëdrejti nga suksesi i përpjekjeve tona të përbashkëta.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z.Glauk Konjufca,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla,
E nderuara udhëheqëse e USAID-it në Kosovë, znj. Zeinah Salahi,
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore,
Avokat i Popullit, z.Naim Qelaj,
Kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z.Kreshnik Radoniqi,
Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj,
Kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, z.Agim Ferati,
Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z.Yll Buleshkaj,
Kryeshefe për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia,
Instituti i Kosovës për Drejtësi, z.Yll Zekaj,
Nga shoqëria civile, znj. Albana Rexha Raça,
Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Jetish Maloku,
Të nderuar ministra,
Ministre e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu,
Ministër i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla,
Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht, më lejoni që të përshëndes iniciativën e presidentit të SHBA-së, z. Joseph Biden, për të mbajtur Samitin e Demokracisë më 9 dhe 10 dhjetor 2021 ku mori pjesë edhe shkëlqesia e saj, presidentja e Republikës sonë, znj. Vjosa Osmani. Bashkë me më shumë se 100 vende të tjera, edhe Republika e Kosovës pra ishte pjesëmarrëse në këtë samit shumë të rëndësishëm.

Samiti ka pasur tri tema kryesore: mbrojtja kundër autoritarizmit, luftimi i korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Përmes themelimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut nga ana e Shkëlqesisë së Saj, presidentes Osmani, Kosova do të ketë mundësi për të dëshmuar, përpara të gjithë botës, përmbushjen e zotimeve të veta në këto fusha.

Pas një viti në detyrë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha këto drejtime. Në fushën e antikorrupsionit, kemi nisur reforma të thella në kornizën ligjore, duke miratuar koncept dokumentin për procesin e vettingut dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Po ashtu, Policia e Kosovës po tregohet gjithnjë e më aktive në terren. Brenda një viti, Policia ka konfiskuar mbi një ton narkotikë dhe ka kryer 550 operacione policore e 1,102 bastisje, ku janë shkatërruar 54 grupe kriminale e janë arrestuar mbi 12 mijë persona, në mesin e këtyre edhe mbi 270 zyrtarë shtetërorë e publikë të vendit tonë. Ky progres ka ndikuar pozitivisht në imazhin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2021, Kosova ka përparuar për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës “Transparency International”. Dhe ajo ka zënë vendin e parë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor në Indeksin e Sundimit të Ligjit të “world Justice Project”.

Në fushën e të drejtave të njeriut, Qeveria jonë, mes arritjeve të tjera, ka alokuar 500 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas; ka rritur për 33% pensionet për personat me aftësi të kufizuara; si dhe po promovon pjesëmarrjen sa më të barabartë të grave në sektorin privat, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike. Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si po arrijmë të ndërtojmë një shoqëri edhe më të lirë dhe gjithëpërfshirëse se përpara.

Dhe në fushën e mbrojtjes kundër autoritarizmit, Republika e Kosovës u është bashkangjitur të gjitha sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja ndaj Federatës Ruse dhe oligarkëve rus pas invazionit në Ukrainë. Po ashtu, kemi shprehur gatishmërinë për të strehuar në vendin tonë deri në 5,000 refugjatë të kësaj lufte, ndërkohë që më herët kemi pranuar gjithsejtë 1449 refugjatë afganë me ç’rast 10 për qind prej tyre ende janë në vendin tonë.

Agresioni ushtarak i Rusisë, si dhe masakrat e civilëve të cilat çdo ditë po nxirren në pah, dëshmojnë edhe më shumë rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sepse demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit nuk janë vetëm çështje të brendshme të secilit shtet në izolim, por kanë edhe implikime të jashtme për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi.

Në vitin 1795, në veprën e tij të njohur, Drejt Paqes së Përhershme, filozofi Immanuel Kant ka parashtruar për herë të parë teorinë e paqes demokratike. Sipas kësaj teorie, vendet demokratike nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Prej atëherë deri më tani, mbi 225 vjet më vonë, ky rregull nuk është thyer asnjëherë. Jemi dëshmitarë që vendet autokratike shpeshherë hyjnë në luftë për hir të interesave të ngushta personale të liderëve të tyre. Por në vendet demokratike, interesat e përgjithshme të qytetarëve janë ato vendimtare.

Në ato vende, lufta pranohet vetëm për hir të vetëmbrojtjes nga agresioni i shteteve të tjera, po kurrsesi si mjet për të arritur qëllime politike të një individi, sado i pushtetshëm që të jetë ai. Sipas të gjitha gjasave, pra, po të ishte Rusia një vend i mirëfilltë demokratik, ajo kurrë nuk do të kishte tentuar ta pushtonte Ukrainën. Dhe po të ishte Serbia një vend demokratik, as ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq të rrezikshëm ndaj paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.

Duke marrë parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, përpjekjet e presidentit Biden për të promovuar vlera demokratike në mbarë botën, ato janë më të rëndësishme tani se kurrë më parë, kudo e posaçërisht në vendin tonë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, ju garantoj se Qeveria jonë, me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion, do të qëndrojë krah për krah me juve, si dhe me qeverinë e SHBA-së dhe vende të tjera demokratike evropiane, në mbrojtjen e këtyre vlerave. Sigurimi i paqes në Ballkan dhe më tej, varet drejtpërsëdrejti nga suksesi i përpjekjeve tona të përbashkëta.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×