Zyra e Kryeministrit

Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur

25 Maj, 2022

Prishtinë, 25 maj 2022

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se Komisioni i Serbisë i ka ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.

Edhe pse delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mosdhënia e informacioneve shtesë nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, të kërkuara nga Komisioni i Republikës së Kosovës, përveç që tregon mosbashkëpunim të institucioneve të Serbisë, dëshmon edhe mosgatishmërinë dhe mungesën e angazhimit serioz e të sinqertë të palës serbe për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së viteve 1998 – 99 në Kosovë.

Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës , andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë.

Po ashtu, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë presim sigurimin e imazheve plotësuese satelitore për një periudhë më të gjerë kohore për lokacionin në fjalë, si një mundësi për të shënjuar më saktësisht lokacionin e varrezës masive, bazuar edhe në përvojat e mëparshme në dy lokacionet e varrezave masive në territorin e Serbisë, si në rastin e Rudnicës dhe rastin e Kizhevakut.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

 

Last modified: 25 Maj, 2022

Comments are closed.

×