Zyra e Kryeministrit

Qeveria lansoi Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme

22 Prill, 2022

Prishtinë, 22 prill 2022

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, organizoi ceremoninë e lansimit të Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme.

“Sot po fillojmë bashkë nismën Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme. Duke e nënshkruar atë, komunat tuaja, komunat tona, do të përfitojnë mbështetje financiare e profesionale në dizajnimin e politikave të integruara të zhvillimit urban, social dhe ekologjik”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Qeverisja lokale ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, tha kryeministri, duke ftuar komunat të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Ai shtoi se në ndërtimin e së ardhmes, në gjetjen e zgjidhjeve për të luftuar ndryshimet klimatike, të gjithë e kemi një rol të veçantë. Niveli qendror dhe lokal i qeverisjes, qytetarët, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duhet të koordinohen së bashku, theksoi kryeminsitri.

Duke rënditur hapa të rëndësishëm që janë marrë nga Qeveria për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të gjelbër, kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW, si dhe projektin 64 milionësh “Solar4Kosova”, termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë.

Përmes Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të përmirësojë performancën ekonomike, të nxisë inovacione për të krijuar sektorë të rinj biznesi, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe të brezave që do të vijnë.

Vizioni i Qeverisë është planifikimi dhe investimet cilësore, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës së integruar në harmoni me mjedisin e pastër, mirëqenien dhe mobilitetin.

Në këtë ceremoni, pati video mesazhe nga znj.Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, z.Manuel Sarrazin, Përfaqësues special i qeverisë federale gjermane për Ballkanin Perëndimor dhe znj.Marieluise Beck, ish deputete e Bundestagut nga Partia e Gjelbër gjermane. Ndërsa fjalë rasti patën: znj.Ulrika Richardson, Kordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z.Jacob Webber, i ngarkuar me punë, Ambasada e Britanisë në Kosovë, znj.Annette Fath-Lihic, Këshilltare e Lartë Politike/Kordinatore Ekzekutive në Zyrën e BE-së në Kosovë dhe z.Edolind Topalli, aktivist i ri për mbrojtjen e mjedisit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj.Ulrika Richardson, Koordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë,
E nderuara znj. Annette Lihiq, nga zyra e Bashkimit Evropian,
Shkëlqesi ambasadorë,
I nderuar Chargé d’affaires i Britanisë se Madhe, z. Jacob Webber,
I nderuar kabinet qeveritar, ministra, zëvendësministra,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar kryetarë të komunave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere, vendore e ndërkombëtare,
Të dashur aktivistë e aktiviste për mbrojtjen e mjedisit,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Teksa po vija te Biblioteka Kombëtare e Kosovës, mes beharit, luleve edhe gjetheve të reja, sikur u ktheva në Prishtinën e fëmijërisë. Ndonëse rruga që ndoqa për të ardhur deri këtu ishte e njëjta sikurse atëherë, ajo sot është megjithatë shumë më ndryshe. Më shumë lëvizje e qarkullim, më shumë beton e ndërtime, e shumë më shumë zhurmë.

Qytetet tona janë përgjithësisht të hirta, edhe ajrin e kanë të tillë që shihet, ato duhet t’i bëjmë të gjelbra, me ajër që nuk na helmon. Fshatrat tona të gjelbra vazhdojnë të boshatisen e të harrohen, andaj atyre duhet t’ua rikthejmë gjallërinë. Lagjeve duhet t’ua nxjerrim në pah estetikën e tyre dhe të lehtësojmë lëvizjen e qarkullimin, për më shumë rekreacion e sport, e për qytetarë të shëndetshëm.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Sot po shënojmë Ditën e Tokës, këtë ditë globale, që është edhe thirrje për të vepruar çdo ditë, për të ardhme të gjelbër e të qëndrueshme.

Në ndërtimin e së ardhmes, në gjetjen e zgjidhjeve për të luftuar ndryshimet klimatike, të gjithë e kemi një rol të veçantë.

Niveli i qeverisjes qendrore dhe lokale, qytetarët, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare, mediet, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duhet që të gjithë të koordinohemi së bashku. Jemi bashkë në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, dhe në përmbushjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm të vendosura për vitin 2030 dhe zotimet e dakorduara në konferencën e 26-të të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike (COP26) e mbajtur në Glasgou, ku nikoqire ishte Mbretëria e Bashkuar. Krahas aspektit të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht kemi nevojë të ulim gradualisht degradimin e natyrës dhe nivelet e emetimeve. Është përgjegjësi e jona e përbashkët të garantojmë siguri dhe shfrytëzim racional të burimeve natyrore për qytetarët tanë pa dallim. Të bëjmë planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Në programin tonë qeverisës, vizioni ynë për mjedisin është planifikimi dhe investimet cilësore, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës së integruar, në harmoni me mjedisin e pastër, mirëqenien dhe mobilitetin.

Kemi ndërmarrë disa hapa të parë të mëdhenj drejt një të ardhme më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme, me parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW si dhe projektin 64 milionësh “Solar4Kosova”, termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Para 6 muajsh, kemi inauguruar impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura urbane në Prizren, i pari i këtij lloji në Kosovë, mbështetur nga shteti gjerman. Ky impiant, dhe të tjerët që janë duke u ndërtuar, janë me rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë.

Sipas vlerësimit të fundit të bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, emetimet mesatare të gazrave serrë në Kosovë janë vlerësuar rreth 10 milionë ton dyoksid karboni ekuivalent.

Përtej numrave, këto vlera janë thirrje për të ndërmarrë veprime të guximshme dhe radikale në mbrojtjen e biodiversitetit, ruajtjen e burimeve tona natyrore dhe zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme.

Për të ndihmuar në uljen e këtyre numrave dhe implementimin e Agjendës së Gjelbër, Qeveria, përmes mbështetjes së politikave të qëndrueshme, do të përmirësojë performancën ekonomike, nxitjen e sektorëve të rinj të biznesit duke mundësuar krijimin e vendeve të reja të punës. Duke i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, ndikojmë në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së jetës.

Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të burimeve, dhe rimendim i hapësirës publike mbi parimet e drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme. Modele të reja të qëndrueshme ekonomike që respektojnë kufijtë ekologjik të planetit tonë.

Në kuadër të planifikimit buxhetor për vitin 2022 dhe të reja që planifikohen në të ardhmen kemi për synim rivitalizimin e linjave hekurudhore Prishtinë – Fushë Kosovë, Fushë Kosovë – Pejë dhe Klinë – Prizren, reduktimin e qeseve dhe shisheve të plastikës, menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme dhe dekomisionimin e azotikut, si dhe ndërtimin e stacioneve transfere dhe qendrave të reciklimit nëpër qytete të mëdha.

Në qeverinë time kemi ndërmarrë veprime edhe për të zhvilluar një model ekonomik qarkor, që të zvogëlojmë emetimet e gazrave, të ruajmë biodiversitetin, e të ndërtojmë sistem ushqimor të qëndrueshëm duke u marrur me problemet strukturore të rrënjosura thellë.

Përmes kësaj iniciative synojmë të mbledhim së bashku qeveritë lokale të cilët kanë qëllim që t’i transformojnë komunat e tyre. Qeveria do të mbështesë komunat në politikat për klimën, për energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, zhvillimin lokal përmes konceptit të ekonomisë qarkore, lëvizshmërinë dhe rritjen e kapaciteteve të transportit publik me shkallë të ulët të emetimit, të mbrojtjes së natyrës dhe biodversitetit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit dhe transformimin digjital.

Njëkohësisht, kjo nismë ndihmon edhe në decentralizimin e përgjegjësisë, duke motivuar zhvillimin e zgjidhjeve lokale për problemet globale të mjedisit. E ndërveprimi i përmirësuar në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, përtej rëndësisë në mbrojtje të mjedisit, është pjesë e rëndësishme e konsolidimit të demokracisë së vendit tonë.

Prandaj sot po fillojmë bashkë nismën “Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”. Duke e nënshkruar atë, komunat tuaja, komunat tona, do të përfitojnë mbështetje financiare e profesionale në dizajnimin e politikave të integruara të zhvillimit urban, social dhe ekologjik.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ritheksoj përkushtimin tonë për ta vazhduar mbështetjen për juve dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm me komunat.

Le të fillojmë këtë rrugëtim të përbashkët me prezantimin e sotëm të kartës. E ta vazhdojmë më tej bashkëpunimin drejt nënshkrimit të Kartës dhe zbatimit të zotimeve për komuna të gjelbëra dhe të qëndrueshme.

Përkushtimin ndaj të ardhmes së qëndrueshme e kemi me borxh për brezat që vijnë pas nesh. Andaj bashkë do të jemi kujdestarë të së ardhmes që kemi premtuar se do ta mbrojmë.

Ju falemnderit shumë të gjithëve!

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×