Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt

19 Shtator, 2012

Prishtinë, 19.09.2012

Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 92-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive të saj ligjore.

Në mbledhje është miratuar Udhëzimi administrativ për funksionalizimin, detyrat dhe përgjegjësitë e qendrës kombëtare për menaxhim kufitar.
Qendra kombëtare për menaxhim kufitar do të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të ketë në përbërjen e saj zyrtarë të Policisë Kufitare, të Doganës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, si dhe përfaqësues të agjencive tjera shtetërore.

Kjo agjenci do të monitorojë aktivitetet në pikat e kalimit kufitar dhe të informoj me kohë personat përgjegjës për aktivitetet e dyshimta në pikat e kalimit kufitar dhe vijën e gjelbër. Agjencia gjithashtu do të bashkërendoj veprimet e agjencive të përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit me qëllim parandalimin e veprimeve ilegale, trafikimin dhe kontrabandimin e mallrave dhe personave si dhe parandalimin dhe zbulimin e rasteve të mundshme të korrupsionit në Pikat kufitare.

Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Shtetëror 2012-2017. Strategjia ka tri shtylla: bashkëpunimi brenda agjencisë, bashkëpunimi ndërmjet agjencioneve të ndryshme shtetërore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Secila shtyllë i ka parametrat, korniza ligjore, organizmin dhe menaxhimin, procedurat, burimet njerëzore dhe trajnimin, komunikimin, teknologjinë informative dhe infrastrukturën si  dhe pajisjet.

Strategji ka edhe mekanizmin koordinues për implementimin dhe monitorimin e objektivave të saj dhe  ka inkorporuar të gjitha kërkesat që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Strategjia Kombëtare Kundër Drogave dhe Plani i Veprimit 2012-2017 që është miratuar sot nga në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka për qëllim ndërtimin e mekanizmit me qëllim avancimin e luftës kundër drogave dhe dukurive negative, përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që janë përgjegjëse për luftën kundër drogave.

Strategjia mbështetet në pesë shtylla: Reduktimi i kërkesës dhe zvogëlimi i dëmit, reduktimi i ofertës dhe furnizimit, bashkëpunimi dhe koordinimi, mekanizmat mbështetës, mbikëqyrja dhe monitorimi. Në kuadër të këtyre shtyllave janë të inkorporuar objektiva  të përgjithshme dhe objektiva specifike.

Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe Planit të Veprimit 2012-017. Strategjia kombëtare kundër terrorizmit është një dokument i cili përcakton objektivat strategjike, objektivat specifike, parimet themelore, institucionet përgjegjëse dhe mënyrat për arritjen e suksesit në parandalimin dhe luftimin e Terrorizmit, po ashtu ka për qëllim edhe fuqizimin e mekanizmave institucional të dedikuar për parandalim dhe luftim të terrorizimit, ngritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në nivel vendi por edhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Është miratuar edhe Strategjia Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar dhe Planit të Veprimit 2012-2017. Strategjia kundër krimit të Organizuar mbështetët në katër objektiva si më poshtë:
•    Fuqizimi i mëtejmë i kapaciteteve në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar;
•    zhvillimi i bashkëpunimit dhe koordinimit në mes akteve vendore dhe ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar;
•    parandalimi dhe luftimi i formave të krimit të organizuar, si dhe
•    vetëdijesimi i qytetarëve për pasojat e krimit të organizuar.

Në Strategji po ashtu është paraparë edhe mekanizmi koordinues për implemtim dhe monitorim të kësaj strategjie dhe në objektivat e saj ka të inkorporuar të gjitha kërkesat që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Në mbledhjen e sotme  është miratuar edhe Vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Fabrikës së Ujit në fshatin Shkabaj dhe vënien e të drejtës së servitutit në dobi të K.U.R. Prishtina, Sh.A. Këto prona ndodhen në Zonat Kadastrale të Komunave  Obiliq, Vushtrri dhe Prishtinë.

Është miratuar Vendimi për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës. Në bazë të vlerësimit dhe rezultateve të treguar gjatë intervistimit të kandidatëve, kandidati Shasivar Haxhiaj, është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me konferencën e investimeve që do të zhvillohet në Uashington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrin pjesë biznesmenë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues nga institucionet e Kosovës.

 

Last modified: 19 Shtator, 2012

Comments are closed.

×