Zyra e Kryeministrit

Punëtori në kuadër të reformës së sistemit të inspektimeve në Kosovë

16 Dhjetor, 2022

Prishtinë, 16 dhjetor 2022

Në kuadër të reformës së inspektimeve dhe aktiviteteve të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm (ZIP), në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, janë organizuar dy punëtori me inspektorë të tregut dhe të ndërtimeve, të nivelit qendror dhe lokal.
Reforma e sistemit të inspektimeve është një ndër reformat më të rëndësishme për përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë. Për prezantimin e kësaj reforme si dhe aktiviteteve të nevojshme për zbatimin e saj sipas Ligjit për Inspektimet (NR.08/L-067) i cili është publikuar në Gazetë Zyrtare në Janar 2022 dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, gjatë muajit dhjetor u zhvilluan dy punëtori me mbi 38 inspektorë të tregut dhe të ndërtimeve të nivelit qendror dhe lokal, dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës për implementimin e reformës së inspektimeve.

Në këto punëtori u prezantua fushëveprimi dhe parimet e inspektimit, organizimi institucional i ZIP dhe organeve të veçanta inspektuese, si dhe procedura e inspektimit. Përmes ushtrimeve të përbashkëta, gjatë punëtorive, u prezantua metodologjia e bazuar në rrezik. Sipas kësaj metodologjie, inspektimet do të planifikohen dhe zhvillohen duke marrë për bazë shkallën e rrezikut që paraqet veprimtaria e subjektit të inspektimit dhe duke i ndarë subjektet e inspektimit dhe veprimtaritë e tyre në grupe të rrezikut për interesin publik, përfshirë shëndetin, sigurinë publike apo mjedisin.

Flamur Salihu, Zëvendësues Inspektor i Përgjithshëm i Kosovës, potencoi se Ligji për Inspektimet është i bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe shërben si platformë e mirë për reformimin e sistemit të inspektimeve në Kosovë.

“Ky ligj ka për qëllim përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë. Përmes punëtorive të tilla do t’i qasemi të gjithë inspektorëve në fushëveprim të këtij ligji në mënyrë që t’i unifikojmë procedurat, të përmirësojmë koordinimin dhe të punojmë bashkë drejt mbështetjes së subjekteve të inspektimit.” u shpreh z. Salihu.

Reforma e inspektimeve është pjesë e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me të cilën synohet përmirësimi i mjedisit afarist. Përmes kësaj reforme do të racionalizohet numri i organeve inspektuese në administratën shtetërore, do të konkretizohen kompetencat e tyre si dhe do të rritet transparenca dhe llogaridhënia në sistemin e inspektimeve.

 

Last modified: 19 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×