Zyra e Kryeministrit

Prezantohet buxheti për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Gjakovës

4 Dhjetor, 2022

Gjakovë, 4 dhjetor 2022

Pas Komunës së Pejës dje, sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, buxhetin për vitin 2023 e prezantuan para qytetarëve të Komunës së Gjakovës.

Duke qenë buxheti më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, ai tha se gjatë hartimit të tij, Qeveria është siguruar që ky buxhet të jetë më shumë për të gjithë.

Përpos që më shumë për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më shumë edhe për komunat.

Rreth 100 milionë euro më shumë se këtë vit, parashihet të jetë buxheti për komunat e Republikës së Kosovës.

Më shumë se vitin e kaluar është planifikuar të jetë edhe buxheti për Komunën e Gjakovës, i cili pritet të arrijë vlerën prej 31,558,422 euro.

Ndër të tjerash, për vitin e ardhshëm Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 11 milionë euro për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Mbi 2.5 milionë euro janë planifikuar në fushën e arsimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe 1 milion tjera në fushën e sportit, kulturës dhe trashëgimisë, nga ministria përkatëse.

Pas prezantimeve fillestare, kryeministri Kurti së bashku me ministrin Murati dhe ministrin Krasniqi patën rastin të bashkëbisedojnë me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve tyre mbi ndarjet buxhetore dhe projektet për vitin tjetër.​

Last modified: 4 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×