Zyra e Kryeministrit

Prezantohet Agjenda shtetërore për shënimin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Manifestimit të 25- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

8 Shkurt, 2023

Prishtinë, 8 shkurt 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku prezantuan në një konferencë për media, Agjendën shtetërore për shënimin e 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Manifestimit të 25- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se 25- vjetori i Epopesë dhe 15- vjetori i Pavarësisë, janë festa jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. ‘’Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia.’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data.

Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që keni gjetur kohën të jeni këtu,

I nderuari ministër Çeku,

25 vite më parë gurthemeli i Kosovës tonë u vendos në Prekaz, me zemrat e zjarrta të Jasharëve që u flijuan për liri. Nuk kishte mundësi tjetër. Dekadat e shtypjes ishin edhe dekada e rezistencës, të lara me gjakun e dëshmorëve e martirëve tanë. Prandaj, Jasharët që e nisën epopenë nuk ishin as të papritur e as të çuditshëm. Por ishin përfundimi logjik i përballjes së rezistencës me pushtimin, ishin fillimi i fitores.

E 15 vite më parë në Prishtinë u ngritën shtyllat e Kosovës tonë, me pavarësinë dhe me kushtetutën republikane e parlamentare. Deputetët e asaj legjislature dhe firmëtarët e pavarësisë, do të mbeten në histori, sepse Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm.
Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i Pavarësisë. Festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia. Rilindasi Sami Frashëri njëherë ka thënë “Liria është thelb i shpirtit dhe i mendjes”.

Meqenëse këtë vit do të shënojmë përvjetorin jubilar të 17 shkurtit dhe 5, 6 dhe 7 marsit, Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data. Me vendim të Kryeministrit Kurti, me 13 dhjetor është caktuar Këshilli Organizativ për shënimin e këtyre dy datave dhe mua më është besuar kryesimi i tij. Ndërsa bashkëkryesues dhe përgjegjës për barrën kryesore të punës u caktua ministri Çeku.
Anëtarë të Këshillit Organizativ, u caktuan edhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, ministrat Mehaj, Nagavci, Murati, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, përfaqësuesja nga Presidenca e Republikës së Kosovës, znj. Donjeta Miftari, komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari dhe drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, z. Shkumbin Ahmetxhekaj.

Më vonë, Këshillit i janë bashkangjitur edhe ministri Sveçla dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, z. Muhamet Bilalli. Që nga muaji dhjetor, Këshilli ka zhvilluar takime dhe ka caktuar grupin punues të nivelit teknik ku dhe është punuar plani 30 ditor, i mbushur me aktivitete të lloj-llojshme të cilat do zhvillohen jo vetëm në Kosovë, por edhe gjithandej botës.

Tani i kaloj fjalën ministrit Çeku, për të na prezantuar më detajisht programin shtetëror për manifestimin e këtyre dy datave.

Last modified: 9 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×