Zyra e Kryeministrit

Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë, një e arritur historike që hap kapitullin e ri, atij të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri Thaçi

12 Shtator, 2012

Prishtinë, 12 shtator 2012 

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi , në mbledhjen e 91-të ka miratuar Projektligjin për Avokaturën Shtetërore,  Strategjinë për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit dhe disa vendime nga fushë veprimtaria e saj.

Në hapje të mbledhjes kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me aktivitete e ditëve të fundit për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Z. Thaçi ka  thënë se ky  kapitull u mbyll me sukses të plotë, me mbështetjen dhe vlerësimin e lartë për shtetin e Kosovës, për shtetin me perspektivë evropiane. Kjo është meritë e gjithë spektrit, para se gjithash e gjithë qytetarëve. 

“Kjo ka qenë një ëndërr që është bërë realitet, është një e arritur historike, është hapje e një kapitulli të ri, atij të integrimit në NATO dhe BE”, theksoi kryeministri Thaçi duke falënderuar pjesëmarrësit ndërkombëtarë në manifestimet solemne, para së gjithash presidentin Ahtisari, ambasadorët Uisneri, Ishinger, presidentin Obama për mesazhin mbështetës, po ashtu edhe presidentin Klinton. 

“Tani duhet të vazhdojmë të punojmë në çështjet që lidhen me perspektivën evropiane, zhvillimin ekonomik, rritjen e vendeve të reja të punës. Jam i vetëdijshëm se e ardhmja do të jetë përplot sfida, por kam besim në sukses. Kam mbesim të plotë se bashkë do t’i thellojmë reformat demokratike si kusht i domosdoshëm për integrime. Prandaj ju falënderoj për punën tuaj dhe për marrjen e përgjegjësive shtesë”, ka pohuar z. Thaçi.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Avokaturën Shtetërore. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se  me këtë Projektligj do të rregullohet themelimi, organizimi dhe kompetencat e Avokaturës Shtetërore të Republikës së Kosovës, kushtet dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror dhe të avokatëve shtetëror, mjetet për punë, autorizimet e tyre, të drejtat dhe detyrimet si dhe çështjet tjera me rëndësi për punën e saj.

“Përfshirja e këtij Projektligji në sistemin juridik të Kosovës ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të përfaqësimit të pavarur ligjor të autoriteteve publike në Republikën e Kosovës”, ka thënë z. Kuçi.

Është miratuar Udhëzimi Administrativ për Përcaktimin e Vendit dhe Mënyrës së Trajtimit Psiko-social të kryerësit të dhunës në familje.  Qëllim i këtij udhëzimi është mes tjerash edhe zbatimi i masës së shqiptuar nga ana e gjykatës kompetente dhe krijimi i kushteve më të favorshme për rehabilitimin e kryerësve të dhunës në familje dhe si hap përfundimtar i risocializimit të tyre. Në këtë mënyrë arrihet mbrojtje më e mirë për viktimën e dhunës në familje si dhe lehtësimin e pasojave të tyre.

Qeveria sot ka miratuar Strategjinë për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit. Në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, Qeveria do të mbështesë veprimet e saja mbi parimet dhe standardet më të larta, siç parashikohet në legjislacionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe në standardet për të drejtat e njeriut.
Qeveria e Kosovës po ashtu do të angazhohet në krijimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve në mes të institucioneve vendore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Me propozim të Ministrisë së Financave Qeveria ka miratuar vendimin për Klasifikimin e Mallrave në Tarifën e  Integruar të Republikës së Kosovës (TARIK) me nënndarje. Po ashtu sot është miratuar vendimi për themelimin e Task Forcës së Ujërave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.  Qeveria e Republikës së Kosovës përkrah përcaktimin e ujërave si një ndër prioritet themelore të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe çmon rëndësinë e integrimit të ujërave në politikat zhvillimore të saj.

Në bazë të propozimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e masave antidamping për blloqet e ndërtimit siporeks të importuar nga Serbia.

Në kuadër të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  Qeveria ka mbështet kërkesën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për financimin e botimit të veprave të veprimtarit të njohur Adem Demaçi. 

 

Last modified: 12 Shtator, 2012

Comments are closed.

×