Zyra e Kryeministrit

Një minutë heshtje në mbledhjen e Qeverisë për nder të viktimave të aksidentit në Bullgari

24 Nëntor, 2021

Prishtinë, 24 nëntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e 45-të të Qeverisë e ka hapur me një fjalë përkujtimi dhe një minutë heshtje të kabinetit qeveritar në nderim të 46 viktimave të aksidentit në Bullgari.

Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim të shpejtë. Urojmë që tragjeditë e tilla të mos na përsëriten, u shpreh ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në nderim të viktimave të autobusit të aksidentuar në Bullgari:

Të nderuar zëvendëskryeministra Besnik Bislimi dhe Emilja Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar qytetarët të Republikës,

Një udhëtim, që do të duhej të përmbyllej me gëzimin e kthimit në shtëpi dhe evokim kujtimesh të freskëta, u ndërpre tragjikisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në autostradën “Struma” në Bullgari.

46 udhëtarë, prej tyre 12 fëmijë, nuk arritën t’u mbijetojnë flakëve të zjarrit, që kaploi autobusin, i cili po kthehej nga Turqia në Maqedoninë e Veriut.

Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga kjo tragjedi kombëtare.

Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi. Të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe urojmë që tragjeditë e tilla, të mos na përsëriten.

Në shenjë solidarizimi dhe nderimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore.

I nderuar kabinet qeveritar,

Ju ftoj për një minutë heshtje në nderim të 46 jetëve të humbura tragjikisht.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

Last modified: 24 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×