Zyra e Kryeministrit

Në kuadër të Dialogut me Mërgatën kryeministri Kurti takoi mërgimtarët dhe studentët në Zurich

26 Maj, 2022

Zurich, 26 maj 2022

Në kuadër të iniciativës së qeverisë për Dialog me Mërgatën, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në dy takime të ndara ka takuar mërgimtarët dhe studentët shqiptarë që jetojnë e studiojnë në Zurich.

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur, kryeministri Kurti fillimisht prezantoi punën, prioritetet dhe sfidat e deritanishme të qeverisjes.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore në Kosovë.

Ai vuri theksin te motivimi i mërgatës për të ardhur dhe kontribuar në Kosovë, duke thënë se rritja e ekonomisë në vend dhe përmirësimi i nivelit të arsimit do të realizohet më mirë e më shpejtë duke e sjell ekspertizën profesionale nga mërgata në vendin tonë.

Kryeministri Kurti po ashtu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve rreth strategjisë së re të qeverisë për mërgatën dhe angazhimit të tyre në qëllimet edhe nevojat e institucioneve të vendit, si dhe dëgjoi idetë dhe propozimet e tyre.

Studentët thane që do të dëshironin krijimin e një pike kontakti nëpërmjet së cilës ata do të ofronin vullnetarisht dijen e tyre. Ata kërkuan që t’u njihen kualifikimet e Zvicrës, t’u jepet mundësia që të punojnë dhe të bëjnë hulumtime shkencore në institucione. Po ashtu sugjeruan zgjerimin e mbështetjes financiare për start-up ndërmarrjet.

Duke i falënderuar për pritjen dhe interesimin e shprehur, kryeministri i ftoi mërgimtarët që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës.

Last modified: 30 Maj, 2022

Comments are closed.

×