Zyra e Kryeministrit

Në hapjen e Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022, Kryeministri Kurti u uron të gjithëve pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

16 Korrik, 2022

Vushtrri, 16 korrik 2022

Ceremonia e hapjes së Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022 filloi me lajmin e jashtëzakonshëm që Kosova është bërë anëtare fuqiplote në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe se për herë të parë do të jetë pjesë e Lojërave Paralimpike Paris 2024, si dhe tash e tutje pjesë e çdo aktiviteti tjetër evropian e botëror që organizohet nën patronatin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar.

Fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi duke thënë se nuk ka pasur vend më të mirë për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe se nuk ka pasur lajm më të mirë për këtë ngjarje.

“Më lejoni t’ju uroj të gjithëve pra pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në vitin 2024, siç e tha edhe presidentja Njomza Emini, do ta shënojmë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat paralimpike. E përgëzoj Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin e tyre drejt realizimit të këtij qëllimi madhor e të përbashkët”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai tha se ky sukses përveçse mundëson përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, më e rëndësishmja është që ka hapur dyert e shumta për mundësi të panumërta për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara përbrenda vendin tonë. “Sportistët me aftësi të kufizuara të Kosovës, tash kanë mundësinë për të ëndërruar medaljen paralimpike”, deklaroi kryeministri Kurti, duke shtuar se sportistët me aftësi të kufizuara janë konfirmim i gjallë që e pamundshmja bëhet e mundur.

Më tej, kryeministri Kurti rikujtoj se me 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, viti 2022, u shpall – vit i personave me aftësi të kufizuara. “Si qeveri, ne do të vazhdojmë punën dhe përkrahjen maksimale për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me shanse, mundësi e të drejta për të gjithë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, duke iu drejtuar sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Parasportive të Kosovës për vitin 2022, ai i ftoi ata që të festojnë arritjet e tyre, të jenë krenarë që aftësitë e tyre mund dhe do të ndryshojnë botën për shumë e shumë njerëz, dhe mbi të gjitha gjatë kësaj fundjave të argëtohen e të luajnë fer. “Sporti është platforma më e mirë përmes së cilës festohet diversiteti dhe përqafohen dallimet” , tha kryeministri Kurti, ndër të tjerash.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Nuk ka pasur vend më të mirë për këtë lajm të jashtëzakonshëm, por gjithashtu nuk ka pasur lajm më të mirë për këtë ngjarje e cila na bënë të gjithë neve krenarë. Pra aktiviteti i juaj vjetor që tregon gjallërinë dhe energjinë tuaj, talentin dhe konfirmon suksese që ua kemi lakmi të gjithë ne.

E nderuara znj. Njomza Emini, Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës,
I nderuari nënkryetar, z. Tishuki
I nderuar ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Ceku,
E nderuara zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
I nderuari zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra,
E nderuara ambasadore e Francës në Kosovë, znj. Marie Christine-Butel
E nderuara ambasadore e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barishic
I nderuari Ambasador i EULEX-it, z. Lars-Gunnar Wigemark,
I nderuari Ambasador i OSBE-së, z. Michael Davenport,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, sportistë, trajnerë dhe sportdashës të të gjitha anëve,

Kam kënaqësinë time të madhe që sot të jem këtu në mesin tuaj, ku bashkërisht nga komunat anë e mbanë Kosovës po bëjmë hapjen e Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022.

Me 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, vitin 2022, e shpallëm – vit të personave me aftësi të kufizuara. Ndonëse puna për të siguruar garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është angazhim i yni i përhershëm, vitin 2022 e shpallëm vit të personave me aftësi të kufizuara, me qëllim që së bashku të punojmë më shumë dhe më mirë për siguruar gjithëpërfshirje dhe mundësi për secilin.

Aktiviteti fizik dhe sporti, na mundëson të gjithë neve, të qëndrojmë të shëndetshëm, të mësojmë aftësi të reja, dhe të jemi më afër me njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve që kemi. Sporti është platforma më e mirë përmes së cilës festohet diversiteti dhe përqafohen dallimet.

Të gjithë ju të pranishëm sot këtu, por edhe të tjerët të cilët janë aktiv në sport, me siguri që ka pasur për juve një moment të rëndësishëm në jetën tuaj, kur për shkak të sportit, aftësia juaj e kufizuara është arma juaj më e fortë. Aty ku të tjerët kanë parë dobësi, ju gjeni rrugën për të maksimizuar atë që mund të bëni – e që pastaj të tjerëve ju duket e paarritshme e madje edhe imagjinare.

Pra, janë sportistët me aftësi të kufizuara, ata të cilët i dëshmojnë të gjithëve, se po ju dha mundësia ju arrini të bëni punë të mahnitshme. Për këtë, të gjithë së bashku duhet të vazhdojmë përpjekjet tona maksimale për të garantuar këtë mundësi për të gjithë.

Sportistët me aftësi të kufizuara të Kosovës, tash kanë mundësinë për të ëndërruar medaljen paralimpike, pasi që Kosova u bë anëtare fuqiplotë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar. Sportistët me aftësi të kufizuara janë pra konfirmim i gjallë që e pamundshmja bëhet e mundur.

Më lejoni t’ju uroj të gjithëve pra pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në vitin 2024, siç e tha edhe presidentja Njomza Emini, do ta shënojmë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat paralimpike. E përgëzoj Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin e tyre drejt realizimit të këtij qëllimi madhor e të përbashkët.

Ky pranim, përveçse mundëson reprezentimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, më e rëndësishmja është që ka hapur dyert e shumta për mundësi të panumërta për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara përbrenda vendit tonë. Pra, ky sukses i jashtëm do të ndikojë edhe për të mirë së brendshmi.

Si qeveri, ne do të vazhdojmë punën dhe përkrahjen maksimale për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me shanse, mundësi e të drejta për të gjithë.

Për fund, më lejoni që t’i drejtohem edhe sportistëve pjesëmarrës në këtë garë:

Festoni arritjet tuaja dhe jeni krenarë që aftësitë tuaja mund dhe do të ndryshojnë botën për shumë e shumë njerëz. Mbi të gjitha, gjatë kësaj fundjave, argëtohuni dhe luani fer. Përball energjisë, zellit dhe talentit tuaj, të gjithë ne të tjerët ndjehemi me aftësi të kufizuara.

Ju uroj shumë suksese të gjithë pjesëmarrësve.
Ju faleminderit shumë e urime dhe një herë.

Last modified: 16 Korrik, 2022

Comments are closed.

×