Zyra e Kryeministrit

Mbledhja e 46-të e Qeverisë

30 Nëntor, 2021

Prishtinë, 30 nëntor 2021

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar katër projektligje dhe masat e rejat për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ka qenë ai për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Masat e plota mund t’i gjeni të bashkëngjitura në këtë komunikatë.

Katër projektligjet e miratuar në mbledhjen e sotme janë:

1. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territoret e shteteve përkatëse.
2. Projektligji për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore i cili përcakton rregullat e parimeve kryesore dhe procedurave të huamarrjes shtetërore, emetimit të garancive shtetërore, pagesave të kryegjësë dhe interesit për borxhin shtetëror, pagesat e garancive shtetërore të thirrura si dhe shpenzimeve tjera të ndërlidhur me to.
3. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit. Marrëveshja i siguron Kosovës një kredi në vlerë prej njëzetepesë milionë e njëqind mijë euro (25,100,000 €) për të asistuar në financimin e projektit.
4. Projektligji për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Qeveria ka miratuar vendimin për Kalendarin vjetor të përkthimit të acquis të Bashkimit Evropian në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky kalendar do të publikohet në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit dhe lista e akteve të BE-së do të procedohet për përkthim. Gjatë përgatitjes së këtij Kalendari janë konsultuar departamentet ligjore të ministrive dhe Komisioni Teknik për Koordinimin e përkthimit të legjislacionit të BE-së, bazuar në Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe.

Qeveria po ashtu ka miratuar edhe kalendarin e aktiviteteve për vitin 2022, vit i shpallur si “Viti i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Më tej në mbledhjen e sotme është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 5 qershor 2018, për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Sikurse është anuluar edhe vendimi i Qeverisë i datës 11 qershor 2019, në bazë të së cilit ishte miratuar rekomandimi i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes për ristrukturimin e disa pozitave në këtë Ministri.

Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore në kategorinë e pagave dhe shtesave për muajin nëntor të viti 2021, ka marrë miratimin e Qeverisë në këtë mbledhje.

Kabineti qeveritar i ka rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare:
1. Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për Projektin e trajtimit të ujerave të zeza në Mitrovicë.
2. Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për zhvillimin e Projektit të zhvillimit të impiantit për ujërat e zeza në Mitrovicë.

Njësoj ka vepruar edhe për dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Konfederatën e Zvicrës.

Në fund, kabineti qeveritar në mbledhje është informuar edhe për mbledhjen e IV të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e cila do të mbahet me 7 dhjetor 2021 në Bruksel.

 

 

Last modified: 30 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×