Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Synim strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të vetëqeverisjes lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës

14 Shtator, 2012

Prishtinë, 14 shtator 2012

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Konferencën e tretë ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale me temë:  “Forcimi i Qeverisjes Lokale Përmes Promovimit të Vlerave Evropiane”, ku merrnin  pjesë përfaqësues të komunave të Kosovë,  zyrtarë të lartë lokal dhe ndërkombëtarë.

Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në këtë konferencë për qeverisjen lokale.


I nderuari zoti zëvendëskryeministër Petroviq
I nderuari zoti Zbogar
E nderuara zonja ambasadore e SHBA-së, Jacobson
Të nderuar ambasadorë
Të nderuar pjesëmarrës nga vendet e rajonit
Të nderuar zëvendëskryeministra
Ministra
Kryetar të komunave
Të nderuar të gjithë të pranishëm

Fillimisht më lejoni t’iu uroj mirëseardhjen në konferencën e tretë ndërkombëtare për qeverisjen lokale. Kjo është konferenca e parë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Kjo është shenja që ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë me implementimin e të gjitha reformave të nevojshme që dalin nga përkushtimet dhe zotimet që kemi marrë për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane, demokratike dhe shumetnike.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje janë parime thelbësore evropiane. Prandaj, duhet të falënderoj Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për organizimin e kësaj konference të rëndësishme që promovon shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira sa i përket reformës në pushtetin lokal, duke përfshirë edhe mësimet e nxjerra nga procesi i decentralizimit në vend dhe në rajon.

Pra, të hënën Republika e Kosovës ka përmbyll me sukses procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Përmbyllja me sukses i këtij procesi është i një rëndësie të veçantë dhe historike posaçërisht për Republikën e Kosovës si shtet i ri, i ndërtuar mbi bazën e shumë etnicitetit, me përkushtim maksimal ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
 
Pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike në integrimin e komuniteteve, që nga ajo kohë ka qenë edhe procesi i decentralizimit, që ka arritur qëllimin e tij, pra pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, që është element thelbësor i demokracisë.

Që nga viti 2008, procesi i reformës së pushtetit vendor dhe decentralizimit në Kosovë ka përfshirë miratimin e ligjeve të reja, dhe rishikimin e atyre ekzistuese, krijimin e komunave të reja, bartje të kompetencave sektoriale, reformë të sistemit të financave lokale, dhe ngritje kapacitetesh për vetëqeverisje lokale efektive.

Në fund të gushtit kemi mbajtur takimin përmbyllës të Grupit Punues për Procesin e Decentralizimit. Të gjithë të pranishmit, duke përfshirë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e kanë cilësuar si një ndër sukseset e shtetbërjes së Kosovës.

Synimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të vetëqeverisjes lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Tani që kemi krijuar një sistem solid të vetëqeverisjes lokale, kemi arritur të sigurojmë kushte të mira jetese për të gjithë qytetarët tanë, por mund ta avancojmë edhe më tepër këtë proces me anë të ngritjes së kapaciteteve dhe resurseve njerëzore, financimit të projekteve infrastrukturore, si dhe koordinimin me donatorë të jashtëm dhe të brendshëm.

Sidoqoftë, edhe në këtë proces të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi edhe sfida tjera. Pra, krijimin e komunës së Mitrovicës veriore. Por kam besim se edhe kjo komunë do të krijohet shumë shpejt, dhe gjithnjë duke u bazuar në suksesin e integrimit në veçanti të komunitetit serb në jug, por edhe komuniteteve tjera në përgjithësi.

Një sfidë tjetër të cilën do të duhet ta adresojmë në të ardhmen është kultivimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët serb në veri.

Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, ka hapur Zyrën Administrative të Mitrovicës Veriore. Kjo Zyrë, është e përkushtuar të ofroj të gjitha shërbimet publike që një komunë i ofron, që të përmirësoj kualitetin e jetës për qytetarët në veriun e Mitrovicës, në mënyrë transparente dhe shumë të përgjegjshme.

Tani kjo Zyrë është ndërlidhur me disa ministri, dhe ofron dokumente bazike, regjistrime, dhe shërbime lokale të nevojshme për jetën e përditshme. Kjo Zyrë ka hapur dyert e saj më 16 korrik dhe jo vetëm që ofron shërbime komunale për qytetarët, or gjithashtu siguron se parimet e decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale të përdoren në praktikë edhe në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.

Kemi qenë të inkurajuar me numrin e madh të interesuarve,  shumica prej të cilëve nga komuniteti serb, që kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të udhëhequr dhe shërbyer për komunitetin e tyre.

Po ashtu, edhe tani jemi të inkurajuar me numrin e madh të qytetarëve që për çdo ditë i drejtohen kësaj Zyre për nevojat e tyre të përditshme. 

Prandaj, si përfundim, bazuar shembujt e suksesit lidhur me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja në Kosovë, mund të themi se kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndëretnike dhe integrimin e minoriteteve.

Kemi arritur që t’iu mundësojmë qytetarëve të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale. Dua të theksoj edhe njëherë se në të gjitha përkushtimet që ju i keni si pushtet lokal, si Ministri e Pushtetit Lokal, të gjitha ministritë që ndërlidhen me këtë çështje, dhe ju autoritete lokale, do ta keni përkrahjen maksimale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ju falënderoj për prezencën tuaj sot këtu, për të marrë përgjegjësi të reja, në këtë kapitull të ri për Kosovën, atë të konsolidimit dhe të forcimit të shtetit.

Ne do të jemi pranë jush. Faleminderit shumë.

 

Last modified: 14 Shtator, 2012

Comments are closed.

×