Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të investojë në sport – në renovimin e stadiumeve tjera anekënd Republikës së Kosovës

3 Mars, 2014

Prishtinë, 3 mars 2014

Kryeministri i Qeverisë së Republikës ë Kosovës, Hashim Thaçi morri pjesë në përurimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në këtë eveniment, kryeministri Hashim Thaçi shoqërohej nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, Fadil Vokrri.

Kryeministri Thaçi u shpreh i impresionuar me punën që është bërë gjatë renovimit të stadiumit olimpik këtu në Mitrovicë, sipas standardeve dhe kritereve të UEFA-s dhe FIFA-s. Në këtë ambient impozant do të zhvillohet edhe ndeshja e parë historike për reprezentacionin e futbollit të Kosovës me Haitin.

“Dëshiroj të falënderoj ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, kryetarin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, z.Fadil Vokrri, për punën e jashtëzakonshme në internacionalizimin e sportit kosovar, në krijimin e mundësive për të zhvilluar ndeshjet e para ndërkombëtare të futbollit për Kosovën, si njeri që i ka dhënë shumë futbollit kosovar, një njeri që e respekton e gjithë bota për kontributin e tij”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të investojë në sport, edhe në renovimin e stadiumeve tjera anekënd Republikës së Kosovës.

“Pres që të mërkurën të kemi edhe ndeshjen e parë historike mes Kosovës dhe Haitit, por të kemi edhe festë, të shpresojmë natyrisht fuqishëm se Kosova do të fitojë”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Last modified: 3 Mars, 2014

Comments are closed.

×