Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës dhe Organizata e Veteranëve të Luftës kanë të njëjtin qëndrim për ligjin për veteranët e UÇK-së- ftojmë Kuvendin e Kosovës që të procedojë shpejt, në mënyrë që të përmbyllet edhe ky proces

4 Mars, 2014

Prishtinë, 4 mars 2014

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Muharrem Xhemajli.

Pas takimit, Kryeministri Thaçi dhe z.Xhemajli kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media. Në vazhdim po e prezantojmë fjalën e kryeministrit Thaçi në konferencë:

Ishte një kënaqësi e veçantë të takoja sot përfaqësuesit e shoqatave të luftës, të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm të procedimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së.

Ligji për veteranët është punuar bashkërisht nga Qeveria e Kosovës dhe organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së, për çka i falënderoj për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, në të njëjtën kohë për durimin dhe besimin që kanë treguar ndaj punës që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Tanimë ligji është në Kuvendin e Kosovës. Është një ligj i vullnetit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që rregullon dhe zgjidh njëherë e përgjithmonë çështjen e pazgjidhur të veteranëve. Natyrisht, ky ligj ka edhe mbulesën financiare, e cila do të përcaktohet me buxhetin e Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, paralelisht është duke ndodhur vlerësimi apo kategorizimi i veteranëve.

Qeveria e Kosovës dhe Organizata e Veteranëve të Luftës, shoqatat e luftës, kanë të njëjtin qëndrim, kanë të njëjtin mendim për ligjin dhe ftojmë Kuvendin e Kosovës që të procedojë shpejt, në mënyrë që të përmbyllet edhe ky proces.

**************

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Thaçi theksoi:

U takuam me Kryeministrin për ta falënderuar për punën që e kanë bërë për Ligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ligjin i cili është proceduar në Kuvend. Ne shpresojmë që, siç është paralajmëruar edhe nga Kryeparlamentari që me datë 13 mars 2014, ky ligj do të kalojë në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht subjekteve politike dhe është një ligj që duhet t’i bashkojë gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

**************

Në vazhdim, kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e medias:

Pyetje:

Z.Thaçi, pse është vonuar ky ligj dhe pse po bëhet publik pikërisht afër zgjedhjeve?

Përgjigje e Kryeministrit Thaçi:

Ne kemi punuar që të nxjerrim një ligj që është plotësisht në përputhje me vullnetin veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ligj që i qëndron kohës, që do të jetë funksional, një ligj që ofron unitetin e spektrit politik qytetar, që njeh dhe institucionalizon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka mbulesë financiare dhe, kemi punuar bashkërisht me shoqatat e luftës që kjo çështje të rregullohet ashtu siq duhet të rregullohet dhe në asnjë rrethanë të mos ketë improvizime apo zgjidhje gjysmake.

Prandaj, ndihem mirë edhe personalisht si veteran i UÇK-së, për zgjidhjen e kësaj çështje për të gjithë bashkëluftëtarët e lirisë.

Pyetje:

A është dashur që ky ligj të miratohet më herët?

Përgjigje e Kryeministrit Thaçi:

Ne është dashur të jemi gjithmonë të lirë dhe Kosova të jetë e pavarur edhe para 15 viteve apo edhe më herët. Si vend, si qytetarë, si popull, kemi kaluar në këto sfida, por ndihem tepër mirë që kjo çështje po zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe përfundimisht.

Pyetje:

Përfaqësuesit e veteranëve kanë deklaruar se pensioni i veteranëve do të jetë sa paga minimale…

Përgjigje e Kryeministrit Thaçi:

Unë ju siguroj se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i kenë benificionet  që as veteranët e vendeve tjera që kanë qenë në luftëra, nuk kanë pasur ligj më afirmativ për veteranët  në nivel të rajonit.

Last modified: 4 Mars, 2014

Comments are closed.

×