Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Një nga prioritetet tona të para dhe më të fuqishme ka qenë, është dhe do të mbetet investimi në edukim

17 Shtator, 2012

Prishtinë, 17 shtator 2012

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi përuroi sot ndërtesën e re të shkollës fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj.

Kryeministri Thaçi theksoi se kjo shkollë ka të kaluar të ndritshme, por në të njëjtën kohë ka të ardhme të sigurt, sepse ndërlidhet drejtpërdrejt me jetën punën dhe edukimin e mësuesit emblematik jo vetëm të Drenicës, por edhe gjithë Kosovës.

Në të njëjtën kohë kur po shoh këta fëmijë, gjithë këta nxënës, po shoh të ardhmen e sigurt të gjithë Kosovës. kjo shkollë do të shërbej si infrastrukturë moderne për ju dhe do të ruhet dhe do të avancohet maksimalisht me mbështetje nga Qeveria dhe autoritete komunale – theksoi Kryeministri Thaçi.

“Secili nga ne për një moment sot duhet të mendoj ku ishim 13 vjet më parë, dhe ku jemi sot. Sot jemi vend i lirë, i pavarur, sovran i njohur prej shumicës prej botës demokratike, i nderuar dhe respektuar prej gjithë botës”, tha z. Thaçi duke shtuar se vendi ynë po shënon progres, ditë më parë në ceremoninë madhështore për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, ne kishim mysafirë diplomatë nga e gjithë bota vendimmarrëse.

Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se një nga prioritetet tona të para dhe më të fuqishme ka qenë është dhe do të mbetet investimi në edukim. Jemi të vetëdijshëm se duke investuar në edukim, investojmë në të ardhmen e shtetit dhe të shoqërisë sonë, si evropianët më të rinj. Duke investuar në edukim, investojmë në modernizimin e shtetit, në të ardhmen e sigurt të edukimit sipas standardeve evropiane.

Më tutje kryeministri Thaçi ka thënë se Drenica për 50 vite u diferencua dhe mbeti e izoluar jo pa qëllim. Ju siguroj se nuk do të ketë më një diferencim të tillë. Do të ketë zhvillim, progres dhe ecje përpara. 

Nga këtu kryeministri Hashim Thaçi ka përcjellë një mesazh për të gjithë mësimdhënësit. “Vetëm para një vjet e gjysmë i kemi rritur pagat për 50 për qind. Prej sot dërgoj mesazhin se për ju dhe gjithë mësimdhënësit tjerë, se do të ketë rritje tjetër gjatë këtij mandati, rritje të merituar së paku për 50 për qind. Tash një vit do të përurojmë bashkërisht shkollën tjetër Hamëz Jashari, në një pjesë tjetër të qytetit”premtoi kryeministri Thaçi.

Përfaqësuesi i Familjes Legjendare Jashari, Rifat Jashari duke përgëzuar nxënësit prindit dhe arsimtarët për shkollën e re ka pohuar se do të mundohemi edhe ne si prind, edhe mësimdhënësit, që të punojmë bashkërisht e ta ruajmë këtë ambient. Uroj që nga kjo shkollë dalin gjenerata të mirëfillta, që punojnë për vetveten, gjakun e vet dhe kombin e vet.

Edhe ministri i Arsimit Ramë Buja ka thënë se kjo shkollë na bënë dy herë përgjegjës, për faktin që është institucion i ri, dhe mban emrin e mësuesit emblemë të Drenicës, bacës Shaban Jasharit.
Duke i nderuar për sfidën që bënë, vitin e kaluar ngritëm një çmim me emrin Shaban Jashari. Sot të gjithë arsimtarët sfidohen gjatë gjithë vitit për të fituar këtë çmim shumë prestigjioz.

Drejtor i shkollës, Rushit Jeta falënderoi Qeverinë që ua mundësoi nxënësve të nisin vitin e ri shkollor ne objektin e ri. “Investimet do t’i arsyetojmë me sukses”, ka thënë Jeta.

 

Last modified: 17 Shtator, 2012

Comments are closed.

×