Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Në secilin përvjetor, qytetari i Kosovës do të ndihet edhe më krenar për vendin e tyre – Republikën e Kosovës

17 Shkurt, 2013

Prishtinë, 17 shkurt 2013

Fjala e kryeministrit në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
I nderuari president Nishani
I nderuari komandanti i KFOR-it
Të nderuar pjesëtarë të FSK-së,
I nderuari Gjeneral Kastrati,
I nderuari Ministër Çeku,
Të nderuar qytetarë,

Sot, po kremtojnë  me dinjitet ngjarjen më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës. Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Po shënojmë 5 vjetorin e lindjes së shtetit të lirë, sovran dhe demokratik.

Liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr e gjyshërve tanë, e baballarëve tanë, por edhe ëndërr e të gjithë neve që jetojmë sot në shtetin e Kosovës.

Të gjithë së bashku ëndrrën e realizuam në realitet.

Liria dhe pavarësia e  Kosovës ka qenë ëndërr për të cilën është sakrifikuar shekuj me radhë.

Ndërsa sot, Liria dhe Pavarësia e Kosovës është realitet për neve dhe fëmijët tanë.

Për këtë të arritur madhështore historike dhe politike për shtetin tonë, meritorë janë qytetarët e Kosovës.

Prandaj falënderimi i madh dhe urimi kryesor  shkon tek  Ju qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, kulture dhe gjuhe.

Sot, në ditën e Pavarësisë së Kosovës shprehim respektimin më të lartë institucional për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të gjithë dëshmorët e rënë, familjet e dëshmorëve që janë prezent edhe në këtë tubim madhështor.

Shprehim respektin për forcat e NATO-s që na ndihmuan në lirinë tonë, për çdo ushtar të KFOR-it që ndihmon sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Zonja dhe zotërinj

Republika e Kosovës me krenari e them sot, është duke ndryshuar për të mirë. Janë shënuar të arritura në të gjitha fushat e jetës: në siguri, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi dhe në afirmimin e shtetit të Kosovës në botë.

Sot shteti i Kosovës është i njohur nga më tepër se gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shumica e shteteve  të Bashkimit Evropian, dhe shtete tjera demokratike anembanë botës.

Njëra ndër të arriturat e Pavarësisë së Kosovës është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës si dhe Policia e Kosovës.

Parakalimi i djemve dhe vajzave tona sot këtu në uniformën e tyre është mesazh i qartë i vizionit tonë – që Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke punuar me përkushtimin më të lartë për të përmbushur standardet e larta .

Vizioni ynë për FSK-në që të përmbushim standardet e larta të NATO-s dhe që në një të ardhme të afërt të jemi anëtar i NATO-s dhe kontribuues të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Kjo na bën që të angazhohemi dhe të kemi përkushtim të lartë për përmbushjen e këtij vizioni.

Por unë jam optimist se gjithë së bashku do t’ia arrijmë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë e re por me arritje të mëdha, forcë bashkëkohore. Për një kohë të shkurtë FSK-ja ka arritur të përmbushë  kapacitetet e plota operacionale. FSK-ja është forcë e paqes, e lirisë, për çdo qytetar dhe kudo që cenohet paqja dhe liria e njerëzimit.

Republika e Kosovës është në rrugë të duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ne ende duhet të punojmë që të transformojmë Kosovën në një shtet të zhvilluar Evropian. Qytetarët tanë e meritojnë këtë! Ne do t’ia arrijmë!

Po ashtu edhe Policia e Kosovës vazhdon të jetë tregim i suksesshëm i ndërtimit të institucioneve tona.

Policia e Kosovës është ndër më të mirat në rajon dhe gëzon besimin më të lartë krahasuar me policitë e rajonit.

Në pesë vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne tashmë kemi një organizatë policore moderne e të standardeve bashkëkohore, e ndërtuar mbi kritere e baza ligjore nga më të përsosura, aftësi profesionale e mbështetur me mjete logjistike të përsosura.

Të nderuar qytetarë,

Unë jam i vetëdijshëm që rezultatet që shteti ynë i ri i ka arritur në këtë pesë vjetor, janë rezultate të prekshme që kemi arritur bashkërisht përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi. Por në të njëjtën kohë jam i vetëdishëm se duhet të bëjmë edhe më tepër.

Por, ajo për të cilën jam i sigurt si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është se përkushtimi ynë për të zhvilluar vendin tonë, dhe të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, dhe secilin përvjetor të Republikës së Kosovës do ta përcjellim me të arritura edhe më të mëdha.

Me të arritura që secili qytetar i vendit tonë të jetoj dhe të ndihet i sigurt në shtetin e Republikës së Kosovës.

Në secilin përvjetor, qytetari i Kosovës do të ndihet edhe më krenar për vendin e tyre – Republikën e Kosovës. Bashkërisht të gjithë ne do ta arrijmë këtë!

Urime përvjetori i pestë i Pavarësisë së Republikës së Kosovës të gjithëve!

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.